Investimet e realizuara nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a Durrës janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Shumë banorë në zonën e Plazhit kanë pranuar se tashmë e kanë të zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm, kurse po aq të tjerë kanë të tjera mendime të cilat shkojnë në kahun e kundërt të arsyetimit të pjesës tjetër.

Nga Ura e Dajlanit, që njihet ndryshe edhe si pika hyrëse në zonën e Plazhit, deri tek Plepat, pika fundore e lagjes 13 të Durrësit, janë realizuar një pas një disa investime. Të gjitha kanë synuar të përmirësojnë furnizimin me ujë të pijshëm, një ndër çështjet më të diskutuara veçanërisht në kohën e sezonit të verës si dhe të sistemojnë rrjetin e ujërave të zeza. Plazhi në periudhën qershor-gusht, që përkon edhe me fluksin e pushuesve, përballet me nevojën e madhe për ujë të pijshëm.

Kjo ka bërë që ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve të investojë shuma të mëdha në zbatimin e projekteve të rëndësishme për të zbutur etjen apo edhe për të permirësuar grafikun dhe sasinë e ujit në këtë zonë turistike. Drejtori i ujësjellësit Doklead Ademi pati deklaruar tre muaj më parë se zona e Shkëmbit të Kavajës dhe plazhi do të furnizohen me ujë të pijshëm pa ndërprerje.

Sipas pohimeve të tij pjesa e vijës bregdetare tek Shkëmbi i Kavajës do të marrë ujë 24 orë në 24 orë gjatë verës, kurse në Plazhin e madh të Durrësit është folur për një investim të rëndësishëm që do të furnizojë për 20 orë me ujë Plazhin. 120 milion lekë ka qenë investimi i fundit në këtë zonë turistike shumë të frekuentuar, financim që është menduar se do të zgjidhë përfundimisht etjen. Investitori këtë herë ka qenë vetë ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a., e cila ka bërë të qartë se përfituesit do të jenë banorët e pjesës më të madhe të lagjes 13.

Investimet

Gjithnjë në bazë të deklarimeve zyrtare të bëra nga vetë drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit Doklead Ademi  është pohuar se në fund të sezonit të verës 65 përqind e popullsisë në Plazh do të furnizohet me ujë 24 orë në ditë. Ndonëse një deklarim i tillë është dukur që aso kohe shumë i guximshëm Ademi i ka qëndruar pohimeve duke e justifikuar këtë me financimin e rëndësishëm. Ai ka veçuar investimin në plazh me një fond 120 milion lekë për shtrirjen e rrjetit në 45 km tubacion; investimi në Plepa-Përroi i Agait 40 milion lekë për rrjetin e përfunduar në 25 km; rrjeti në Perlat të Sukthit për shtirjen e tubacioneve, ndërtimin e depos dhe linjën shpërndarëse për çdo familje; investimi në Kodër Sukth për 520 familje etj.

Disa investime në Plazhin e Durrësit kanë zgjidhur furnizimin e popullatës dhe të bizneseve me ujë të pijshëm. Këto investime janë bërë 3 vitet e fundit dhe ndërmarrja deklaron se ka dhënë ujë 24 orë, pa ndërprerje ashtu si në zonën tek Shkëmbi i Kavajës. Por banorët pasi pranojnë përmirësimin e dukshëm të gjendjes thonë se asnjë zonë e Plazhit nuk merr ujë 24 orë

Tani që sezoni ka mbaruar dhe investimi ka përfunduar banorët kanë ndarë mendime të ndryshme. Përgjithësisht ata janë të kënaqur për sasinë e ujit, presionin dhe kohën e lëshimit të ujit të pijshëm. Deri tre vite më parë i gjithë Plazhi bënte roje duke pritur gjithë natën lëshimin e ujit, ndërsa ndodhte që uji të mos vinte në tubacione për dy apo tre ditë.

Situata ka qenë shumë problematike gjatë periudhës së pikut të pushuesve në këtë zonë, kohë që uji i pijshëm përgjithësisht blihej, ndërsa depozitat mbusheshin me ujë pusi. Investimet e njëpasnjëshme bënë që gjendja të ndryshojë, por në asnjë rast sipas treguesve që afron drejtoria e ujësjellës-kanalizimeve sh.a. edhe pse drejtori Ademi e ka theksuar disa herë që në këtë pjesë të Plazhit banorët e bizneset do të furnizohen me ujë të pijshëm pa ndërprerje, situata në terren është ndryshe.

Furnizimi

Sot në Durrës hynë 580-590 litër ujë në sekondë nga tubacioni kryesor Fushë Kuqe-Xhafzotaj-Durrës, ndërkohë që tre vite më parë hynin vetëm 300 litra në sekondë. Megjithatë furnizimi me ujë vijon të jetë problem si në qytet e periferi, ashtu edhe në vijën bregdetare, atje ku janë vendet e akomodimit të pushuesve në sezonin e verës. Shoqëria anonime e ujësjellësit i ka kushtuar kujdes të rëndësishëm arkëtimeve të faturës si një tjetër mundësi për të rritur fondin për investime.

Zyrtarisht është thënë se aktualisht faturohen rregullisht 60 mijë pajtimtarë nga 45 mijë të tillë vite më parë. Pikërisht sasia prej 15 mijë abonentësh të furnizuar me ujë të pijshëm por të pa faturuar ka qenë një humbje jo e vogël si në drejtim të sasisë së ujit edhe të arkëtimit të faturës. Investimi i fundit që është bërë në stacionin Hekurudha, pranë postës së Plazhit ka qenë më i ndjeshmi. Zona në fjalë ka vuajtur më shumë se çdo pjesë tjetër e lagjes nr. 13 për ujë të pijshëm, pasi investimet deri asokohe ishin përqendruar në anën e bregdetit.

110 milion lekë është fondi që është dhënë në pjesën nga shinat e trenit tek hekurudha në Plazh deri në rrugën e unazës Shkozet-Plepa, pranë kodrës së Arapaj. Sipas përllogaritjeve të bëra është thënë se më shumë se 20 mijë banorë do të marrin ujë pa ndërprerje me të përfunduar zbatimi i projektit. Banorët e zonës pranojnë se përmirësimi është i dukshëm, ndërsa të tjerë pohojnë se gjendja është përkeqësuar krahasuar me periudhën para investimit.

Reagime qytetarësh

Rrapo Sheqeri

Banoj këtu në lagjen 13 poshtë shinave të trenit. Furnizimi me ujë të pijshëm është përmirësuar shumë. Jemi mjaft të kënaqur. Uji vjen çdo ditë. Ka raste që vjen edhe një herë në dy ditë, por duke e krahasuar se si kemi qenë dhe sesi jemi tani ka goxha ndryshim. Kemi vuajtur për një pikë ujë. Gjatë verës i japim dhomat me qera, por kur nuk ke ujë nuk ke pse merr pushues. Tani jemi mirë. Ujin e kemi me bollëk. Vjen një herë në ditë. Rri 2-3 orë dhe mjafton për të mbushur depozitat dhe enët. Nuk kemi pse të qahemi. Nuk na duhet më shumë se 2 orë. Unë jam 76 vjeç. Banoj prej vitesh në Plazh. Të themi të drejtën nuk kemi pasur ndonjëherë ujë më shumë se tani. Dy orë ujë po vjen në orar, nuk rrimë zgjuar dhe as nuk vemi poshtë e lart me bidona e karroca. Para se të bëhej ky investimi i fundit kishim fare pak ujë. Përpara na vinte vetëm 30 minuta dhe kur ta lëshonin, ditën apo natën. Rrinim zgjuar duke e përgjuar tubin. Pastaj ne kemi qëndruar edhe 10 ditë pa ujë. Sot ka ndryshuar situata.

Shkëlqim Kastrati

Në shtëpinë time uji vjen me presion. Ka më shumë se një muaj që kemi ujë mjaft. Nuk ka më nevojë për pompa si dikur. Vjen me rrjedhje të lirë jo vetëm në katin e parë por edhe disa kate më lart. Të gjitha shtëpitë këtu kanë ujë. Vjen në mbrëmje dhe mjafton për të mbushur depozitat e për të larë. Nuk e kam matur se sa orë, por mund të them se edhe dhjetë orë ujë kemi të paktën ne këtu. Shtëpia ime është rreth 300 m larg nga posta. Prindërit e mi kanë vuajtur shumë deri tani. Ata rrinin me rradhë duke pritur ujin natën. Një herë vinte në mes të natës, një herë fare. Edhe kur uji lëshohej, qëndronte shumë pak. Jo më shumë se 30 minuta. Lagjja vinte pompat, pasi uji nuk kishte presion. Në të shumtën e herëve nuk mbusheshin jo vetëm depozitat, por as bidonët në shtëpi.

Arjan Koni

Tek ne uji vjen në ora 5 të mëngjesit deri në ora 6 apo 6.30. Kaq dhe ikën. Kemi parë se në verë këtu është bërë një investim dhe na kanë thënë në atë kohë se do të marrim ujë 24 orë. Të paktën në bllokun e shtëpive të lagjes sonë kjo nuk ka ndodhur. Sot kemi më pak ujë sesa më parë. Uji vinte në ora 4 të mëngjesit dhe ikte në 6.30. Tani na vjen një më vonë dhe ikën po në 6.30. Nuk mund të them pse ka rënë sasia e furnizimit me ujë të pijshëm. Lagjja jonë ka probleme me ujin, me rrugët, me pastërtinë. Shiko rrugët, janë copë-copë tani. Po në dimër? Nuk kalohet nga uji e balta. Edhe plehrat nuk hiqen.

Jusuf Balla

Këtu pas dyqanit e kam shtëpinë. Këta që e kanë marrë ujin nuk e di si u shkon dhe sa ujë marrin, u vjen në rregull apo s’u vjen në rregull. Nga tubacioni kryesor shtëpia ime është 100 m larg. Aty e kam shtëpinë. Nuk kam marrë ujë se nuk kam lekë për të paguar lidhjen. Gruan e kam në gradë të fundit, shumë të sëmurë. Çfarë të bëj më parë? Të paguaj ujin, të paguaj dritat, të blej ilaçet apo panolinat? Burrë e grua jam. Vijnë ata të firmës dhe më thonë se duhet të paguaj, po unë nuk kam lekë. Nuk kam çfarë të bëj. Tubat e ujit nuk janë shtrirë në të gjithë lagjen. Ata që duan ujë takojnë një burrë që rri këtu dhe ai merret me këtë punë. Thotë se është i firmës. Kush është i zoti e paguan dhe ai i sjell ujin. Të them të vërtetën nuk di gjë se si i bëjnë ato letrat, po ai është burrë i shkathët. Këtë punë bën që sa kohë.