Ujësjellës Kanalizime Durrës po ndërhyn për pastrimin e kolektorit kryesor që mbledh ujërat e shiut duke nisur nga hyrja e portit në drejtim të lagjes nr. 4. Kolektori në fjalë është ndërtuar para afro 90 vitesh dhe pastrimi i fundit është bërë në vitin 1982. Për shkak të mbeturinave të shumta dhe aluvioneve që janë grumbulluar prej vitesh, zona në fjalë përmbytet shpesh në raste reshjesh. Ujësjellës Kanalizime Durrës në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit ka vënë në dispozicion mjetet  dhe specialistët për të kryer këtë proces. Kryeinxhinieri i ndërmarrjes Gerald Dautaj është shprehur se kjo është faza e parë e ndërhyrjes që nis nga hyrja para portit deri te qendra tregtare “Bluestar”, me gjatësi 650 metër linear.

“Po bëhet pastrimi i kolektorit të ujërave të shiut, i cili është një kolektor i dimensionit 2000 mm. Ai ka që nga vitin1982 që nuk është pastruar dhe është ndërtuar që nga koha e italianëve, në vitin 1939 dhe shërbente për largimin e ujërve të shiut në këtë pjesë të qytetit. Ka qenë një kolektor i bllokuar nag aluvionet dhe dekantime të ndryshme. Po bëjmë pastrimin e tij i cili shkon në koherencë edhe me investimin e bashkisë në rrugë dhe trotuare. Faza e parë përfshin aksion nga derdhja në det deri te qendra tregtare Blues star me gjatësi 650 metër linear. Pastrimi i këtij kolektori do të eleminojë tërësisht përmbytjet në rrugën Skënderbej”, thotë Gerald Dautaj kryeinxhinier i UKD-së.

Në përfundim të kësaj ndërhyrjeje, pritet që të eleminohen përmbytjet që ndodhin në stinën e dimrit. Punimet për pastrimin e kolektorit po kryhen gjatë orëve të natës për të mos krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve në zonën në fjalë. Ujësjellës Kanalizime Durrës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve deri në përfundim të ndërhyrjes, e cila është e domosdoshme që të kryhet në këtë periudhë, kur jemi në prag të stinës së reshjeve të shiut. Paralelisht me ndërhyrjen e ujësjellësit, në zonën që nis nga Brryli në drejtim të stacionit të trenit dhe deri në hyrje të ish-Kënetës, me fondet e Bankës Botërore po kryhet investimi për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave te zeza.