27 tetor 2015 – Prej afro një muaji, një grup Task Force i Ujësjellës Kanalizime Durrës funksionon për evidentimin e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujit të pijshëm. Pas urdhrit të brendshëm të nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i UjësjellësKanlizime sh.a Spartak Kovaci, janë ngritur dy grupe task force, një për Shijakun dhe një për qytetin e Durrësit.

Reparti i Shijakut që është në varësi të UKD-së ka vënë në gadishmëri 21 persona duke zhvilluar kontrolle në rrugën Maminas-Marikaj për lidhjet e paligjshme. Në aksionin që është zhvilluar ditën e djeshme në këtë zonë janë zbuluar katër lidhje të paligjshme që ishin lidhur nga biznese të zonës. Përgjegjësi i repartit të Shijakut Ivo Doçi është shprehur se janë prerë lidhjet e paligjshme, ndërkohë që janë vendosur vulat përkatëse, si dhe personat përgjegjës janë gjobitur me gjoba që shkojnë nga 25 deri në 50 mijë lekë.

Paralelisht me zonën e Shijakut, një tjetër grup i ngjashëm po kryen evidentimin në terren të lidhjeve të paligjshme në zonën e Ish Kënetës. Ky grup ka kryer inspektime dhe kontrolle më herët në zonën e Currilave, bulevardin kryesor dhe zonën pranë gjykatës.

Leonard Haka, përgjegjës i sektorit të azhornimit, thotë se në total janë gjetur rreth 40 lidhje të paligjshme, ndërsa vetëm në zonën e Kënetës janë vënë më shumë se 17 gjoba. Pesë nga këta persona janë dërguar për ndjekje penale.

Aksioni në fjalë do të vazhdojë për të evidentuar të gjitha lidhjet e paligjshme në gjithë zonën e shërbimit me ujë të pijshëm që mbulon Ujësjellës Kanalizime Durrës.

/portali DurresLajm/