Punimet për ndërtimin e tubacionit për ujësjellësin e Durrësit janë duke ecur me ritme të kënaqshme, ndërkohë që pritet që i gjithë investimi të përfundojë disa muaj para afatit. Burime nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime, e cila është përgjegjëse për zbatimin e projektit, kanë bërë me dije se punimet janë duke ecur sipas parashikimeve për të përfunduar në afatin e duhur. Aktualisht firma zbatuese e punimeve ka nisur shtrimin e tubacionit me dy grupe pune në zonën e sektorit “Rinia”, ndërkohë që një grup tjetër po merret me punimet për ndërtimin e depos në Bizë, nga e cila uji do të vijë me vetërrjedhje deri në Durrës.

Deri në këtë moment janë shtruar më shumë se 30 km tubacion DN 700 mm, i cili është material me fibra xhami dhe shumë cilësor. Punimet kanë përfunduar në hapjen e 7 puseve të reja në shtratin e lumit Mat, të cilët parashikohet të sjellin 620 litra ujë në sekondë. Gjithashtu janë në përfundim punimet për ndërtimin e stacionit të pompave dhe rezervuarit të ngritur mbi tokë me kapacitet 1600 m³. Nga kjo pikë uji i prodhuar do të shtyhet me pompa të fuqishme drejt depos në Bizë dhe nga andej do të vijë me rrjedhje të lirë në Durrës.

I gjithë tubacioni i shtrirë deri tani është testuar me ujë me presion 25-30 bar dhe gjithçka ka rezultuar në rregull. Punimet janë inspektuar ditën e djeshme nga përfaqësues të Bankës Botërore që ndjekin ecurinë e projekteve në vendin tonë, përfaqësues të bashkisë së Durrësit dhe inxhinierë të Ujësjellës Kanalizime Durrës. Gjatësia totale e tubacionit të ri do të jetë rreth 62 km, ndërkohë që ai pas Bizës, zbret në plazhin e gjirit të Lalzit dhe më pas drejt hidrovorit në Hamallaj për të ndjekur gjurmën drejt sektorit Rinia.

Ujësjellësi i ri pritet të sjellë trefishin e sasisë aktuale që sjell tubacioni që nis nga Fushë Kuqja, ndërkohë që ai do të jetë i dedikuar vetëm për qytetin e Durrësit. Grupi që ka inspektuar punimet është njohur edhe me afatet e dorëzimit të investimit, i cili duhet të përfundojë në muajin qershor të vitit të ardhshëm, por përfaqësues të firmës zbatuese kanë deklaruar se ato do të mbarojnë para afatit.