17korrik 2015 – Thatësira e punimet që po kryhen në ujësjellës kanë krijuar probleme me furnizimin me ujë të Durrësit këto ditë të nxehta, ndërkohë që dhe dhe numri i konsumatorëve është shtuar së tepërmi për shkak të turistëve që vijnë me pushime.

Sipas zyrtarëve të Ujësjellës-Kanalizimeve, dega Durrës, kjo ndërmarrje ka kryer gjatë muajve të fundit disa investime që lidhen furnizimin me ujë të pijshëm në zona periferike të qytetit si dhe zonën e fshatit. “Theksojmë se në këto zona nuk ka pasur rrjet të furnizimit me ujë të pijshëm dhe në këtë mënyrë gjatë këtij viti është rritur numri i popullsisë që furnizohet me ujë. Prej dy muajsh në stacionin e pompimit në Fushë Kuqe është vënë në punë edhe pompa e nëntë, duke prodhuar aktualisht sasinë maksimale të ujit”.

Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë dhe iu bën thirrje atyre që të kursejnë në maksimum ujin e pijshëm. “Ju bëjmë thirrje sidomos atyre që në këto ditë e përdorin ujin e pijshëm për larjen e automjeteve, të rrugëve apo ujitjen e tokave që ta ndërpresin një gjë të tillë. Nga ana tjetër paralajmërojmë personat që abuzojnë me ujin e pijshëm se do të ketë masa ndëshkuese nga gjoba deri në ndjekje penale për ata që ndërhyjnë në rrjetin e furnizimit me ujë”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/