TIRANE, 10 mars 2013 – Ujësjellësit kanë mundur të nënshkruajnë kontratën e re vetëm me 16.5 për qind të familjeve në vend. Raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit konstaton se ndërmarrjet e ujësjellësëve hasin vështirësi për të lidhur kontratat e reja me abonentët familjarë. “Nga raportimet e marra rezulton se 68% e klientëve publikë dhe 29% e klientëve privatë tashmë kanë lidhur kontratën e re. Situata paraqitet jo e kënaqshme për kategorinë e klientëve familjarë, të cilët përbëjnë edhe pjesën më të madhe në numrin total të klientëve të çdo shoqërie, ku vetëm 16.5% e tyre janë pajisur me kontratën model në të gjithë vendin”, thuhet në raport.
Në të gjithë vendin, në vitin 2012 operonin si Ujësjellës-Kanalizime 57 operatorë, të cilët në zonën e juridiksionit të tyre u shërbenin 50 për qind të popullsisë. Një tjetër problem që ERRU vëren në raportin e tij, duket se është niveli i lartë i humbjeve.
“Problemi kryesor janë nivelet e larta të humbjeve në sistemet e furnizimit me ujë, të cilat sjellin furnizim me orar dhe gjendje financiare të dobët të operatorëve. Edhe gjatë vitit 2012, niveli i humbjeve vazhdon të mbetet i lartë dhe konkretisht llogaritet në 62%, nga 63% që ishte në vitin 2011. Kjo ulje me 1% është shumë pak në krahasim me atë ku duhet të arrijë sektori, duke kërcënuar qëndrueshmërinë financiare te shumë prej shoqërive”, vëren Enti.





