Esi Popajorgji është 27-vjeçari i cili sot ka kapur i pari kryqin në ujin e ftohtë gjatë ceremonisë së zhvilluar në portin e Durrësit.

Papajorgji merrte pjesë për herë të pestë në ceremoni ndërsa është hera e parë që e fiton atë bashkë me shpërblimin e caktuar.

Festa që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar” përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë. E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsakë është një prej kremteve më të mëdha të kishës.

Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, filloi herët në mëngjes në kishën e qytetit bregdetar në të cilën kanë marrë pjesë qindra besimtarë të fesë ortodokse.

Pas kësaj besimtarët u nisën me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Ceremonia u krye në sheshin para kalates nr.4 të portit, në të cilën kanë qëndruar në pritje 2 të rinj në garë për të kapur kryqin e drunjtë.

Besimtarët në këtë ditë mbushin ujin e bekuar të cilin e ruajnë për një vit në shtëpitë e tyre.

K.H.