Stuhia “Bora” ka ‘zbarkuar’ në Greqi, duke shkaktuar përmbytje katastrofike në disa ishuj të vendit.

Moti i keq me reshje të dendura shiu nisi mbrëmjen e së premtes, ndërsa ditën e djeshme (30 nëntor) shënoi kulmin.

Siç raportojnë mediat greke ishujt e prekur nga moti i keq janë Limnos, Tinos dhe Rodos.

Në ishullin e Limnos raportohet për dy të vdekur nga përmbytjet, ndërsa dëmet materiale që ka shkaktuar shiu janë të mëdha, shkruan protothema.gr.

Raportohet për dëme të mëdha në banesa, dyqane dhe infrastrukturë.

Zona e Kontias duket se është goditur më rëndë, me banorët që flasin për dëme të shumta në pronat e tyre, megjithatë shumë banesa u përmbytën edhe në zona të tjera të ishullit, ndërsa tokat bujqësore u zhytën nën ujë.

Autoritetet në Limnos u kanë dërguar mesazh paralajmërues banorëve, të cilëve u kërkohet të shmangin lëvizjet në disa rrugë të ishullit për shkak të përmbytjeve.

Nesër 2 dhjetor shkollat në Limnos do të jenë të mbyllura, sipas autoriteteve lokale.