Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Bogë, ku uji ka marrë para makinën ku udhëtonte babai me djalin dhe vajzën e tij.
Mësohet se vajza ka shpëtuar ndërsa nuk dihet asgjë për fatin e dy të tjerëve. Ka qenë ajo që ka lajmëruar familjarët. Ngjarja e rëndë ndodhi para pak orësh në zonën e Bogës teksa makina dyshohet se është marra nga Përroi i Thatë.
Ende nuk dihet gjendja e tyre, ndërsa policia dhe forcat e shpëtimit ndodhen në vendngjarje.
Njoftimi i policise:
Malësi e Madhe, Shkodër/Informacion paraprak
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza).
Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit.Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir).