Është një element shumë i rëndësishëm i jetës, 60 % të trupit tonë  e përbën  uji. Njeriu ka nevojë për  1.5-2 litra ujë në ditë sidomos kur jemi në stinën e verës dhe temperaturat janë të larta, atëherë, nevoja për ujë rritet, kjo në varësi të punës, kushteve dhe ambientit ku ndodhemi. Madje kur temperaturat janë shumë të larta edhe një dehidrim i lehtë mund të shkaktojë dhimbje koke, përgjumje dhe lodhje. Nëse pakësojmë sasinë e lëngjeve dhe veçanërisht të ujit do ulet dhe volumi i gjakut dhe për pasojë do ulet fluksi i gjakut që do të shkojë në tru, zemër, muskuj dhe të gjitha organet  e tjera. Më pak gjak shkon drejt këtyre organeve, më pak oksigjen arrin në to, më pak i përgjigjen këto organe komandave që ne u japim.

Nevojat për ujë :                         

Fëmijët– është e rëndësishme të kujdesemi për sasinë e lëngjeve që merr një fëmijë, pasi ndjesia e etjes te fëmijët nuk është në nivelet e duhura dhe është e lehtë që të dehidrohen. Gjithashtu fëmijët janë gjithmonë në lëvizje dhe humbin lëngje nëpërmjet djersitjes, prandaj duhet të kemi kujdes që t’i japim shpesh fëmijëve sidomos në stinën e nxehtë lëngje, por jo lëngje të konservuara dhe me shumë sheqer, më të mirat janë lëngjet e freskëta.

Të moshuarit – gjatë plakjes receptorët e etjes humbin efektivitetin e tyre, gjithashtu duhet thënë se të moshuarit tentojnë të minimizojnë marrjen e lëngjeve për të evituar daljet e shpeshta në banjë, por kjo përbën një problem shqetësues sidomos në periudhën e verës kur temperaturat arrijnë kulmin e tyre. Të moshuarve u rekomandohet të marrin rregullisht pijet e tyre të preferuara, më të  mirat do të ishin uji, çaji, kafja, supëra me perime dhe lëngje të tjera sipas dëshirës.

Gjatë aktivitetit fizik apo punëve në ambiente të hapura duhet të keni kujdes, pasi humbjet me djersën dhe frymëmarrjen janë të mëdha, prandaj tentoni të ekuilibroni humbjen me marrjen e lëngjeve gjatë sporteve të ndryshme apo nëse keni punë dhe qëndroni gjatë në ambiente të hapura.

Disa këshilla për grupet më të rrezikuara gjatë stinës së nxehtë

Adoleshentët : Kjo është një periudhë e rëndësishme e jetës, e cila shoqërohet me ndryshime fiziologjike të rëndësishme të organizmit. Trupi ynë ndryshon me ritme të shpejta dhe ka nevojë për energji dhe ushqime shtesë, kryesisht proteina, hekur, kalçium dhe vitamina.

Nga studimet e fundit kane dalë rezultate befasuese për obezitetin, ku një nga faktorët më riskues për shfaqjen e obezitetit te adoleshentët dhe në rininë e hershme është pikërisht përdorimi i dietave strikte. Në pamje të parë kjo duket absurde, pasi pretendojmë se duke kufizuar ushqyerjen po mbrojmë shëndetin, por kjo nuk është e vërtetë, duke mbajtur dieta ne privojmë organizmin nga elementët e nevojshëm për përballimin e nevojave energjetike. Kështu adoleshentët, të cilët fillojnë dieta në moshën 16 vjeç kanë tre herë më shumë mundësi të zhvillojnë obezitetin duke u krahasuar me moshatarët e tyre, të cilët nuk kanë përdorur dieta. Një dietë e mirë është ajo ku hahet mirë, me  yndyrna, shumë fruta dhe zarzavate, pa eleminuar vaktet dhe pa arritur në sindroma të rënda si bulimia dhe anoreksia, shumë problematike për adoleshentët sot në botë. ”Dieta gjatë adoleshencës është një simptomë e vështirësisë së marrjes së ushqimit. Këta adoleshentë janë vendosur në dietë, pasi kanë parë te vetja një problem mbipeshe, të cilës i përgjigjen duke u vendosur në dietë, por kanë humbur që pa filluar, sepse po i hapin kështu rrugë obezitetit në të ardhmen”.

Adoleshentët gjatë periudhës së rritjes kanë nevojë të shtuar për hekur dhe kalcium, deficiti në keto elemente do të sjelli pasoja në formimin e elementeve të gjakut, ndërtimin e skeletit dhe shfaqjen e osteoporozës në vitet e mëvonshme.

Prandaj ne i rekomandojmë adoleshentëve:

·        Të përdorin ushqime të pasura me kalcium dhe hekur si qumështi dhe produktet e tij, fruta perime, mëlçi ,peshk, mish pa dhjamë.

·        Të eleminojnë përdorimin e dietave ekstreme  dhe eleminimin e vakteve.

·        Të eleminojnë ushqimet e shpejta dhe të pasura me yndyrna të fast food-ve.

·        Përdorni yndyrna të pa saturuara si vaj ulliri dhe jo më shumë se një ëmbëlsirë të vogël (50gr) në ditë si feta biskotate, akullore, një copë kek.

·        Përdorni 4 herë në javë mish pa dhjamë (90gr në ditë) dhe 2 herë në javë peshk (100gr në ditë).

·        Veza nuk rekomandohet më shumë se 2 herë në javë, qumështi dhe produktet e tij të konsumohen çdo ditë (1 racion= 200gr qumësht=160gr kos=30gr diathë)

·        Frutat dhe perimet të perdoren në 2-3 porcione në ditë (1 porcion=1 mollë= 2 kumbulla=1/2 banane=100ml lëng frutash), perimet (1 porcion=100 gr perime =150 ml         lëng perimesh=50 gr sallatë).

 

Gratë shtatzëna: Kërkesat e tyre rriten ndaj duhet të bëjmë kujdes në atë çfarë hanë dhe në çfarë sasie e hanë.

·        Mënjanoni shtimin e shpejtë në peshë duke u kujdesur që të merrni me ushqimin të gjitha elementet e nevojshëm për ju dhe bebin tuaj. Konsumoni sasi të mjaftueshme peshku, mishi pa dhjamë, vezë, qumësht dhe produktet e tij, shumë fruta dhe perime të freskëta për të përmbushur kërkesat për hekur, kalcium, proteina, ujë.

·        Bëni kujdes që dieta juaj të përmbajë ushqime të pasura me folate për të parandaluar difekte në lindje të bebit.

·        Eleminoni përdorimin e pijeve alkolike dhe atyre të pasura me kafetinë. Përdorni vetëm ujë dhe lëngje të freskëta.

 

Nëna me fëmijë në gji:

·        Këto nëna kanë nevojë për sasi të mëdha energjish ku përfshihen rritja e kërkesave për proteina (17gr/d), kalcium (200-400gr/d), jodi (50mcg/d), zingu, selenium, vitamina A,B,C dhe shumë ujë. Këto nevoja plotësohen vetëm me një ushqyerje të pasur dhe të shumëllojshme.

·        Dieta e nënës me fëmijë në gji duhet të përmbajë përveçse të gjitha ushqimeve të stinës  si: peshk, mish, qumësht dhe nënproduktet e tij, fruta dhe perime të freskëta dhe shumë qumësht dhe ujë për të ushqyer bebin.

·        Ajo që është e rëndësishme është fakti që nëna duhet të eleminojë ushqimet, që japin shije të pa pëlqyera në qumësht dhe që mund ta shtyjnë bebin të lërë gjirin. Këto ushqime janë: hudhra, qepa, lakra, bajamet. Ushqimet si djathi, frutat e detit, midhjet, kakao, çokollata, luleshtrydhet, qershitë, kajsitë duhen përdorur me kujdes, pasi mund të shkaktojnë intolerancë ushqimore te bebi.

·        Duhen eleminuar pijet alkolike dhe të pasura me kafeinë.

 

Të moshuarit: Për të moshuarit që gëzojnë shëndet të mirë vlejnë të gjitha këshillat e ushqyerjes si tek adultët, përdorimi i 10 rregullave të thëna më sipër. Por gjithsesi duhet pasur kujdes, pasi nevojat energjetike tek të moshuarit ulen me kalimin e viteve, gjithashtu sëmundjet e ndryshme kronike dhe përdorimi i medikamenteve kërkon pak kujdes në ushqyerje.

·        Bëni kujdes në kufizimin e kripës në sëmundjet kardiovaskulare dhe hipertensionin.

·        Bëni kujdes në përdorimin e ushqimeve të pasura me sheqer për të sëmurët diabetikë  dhe nën trajtim me insulinë për shmangien e hiperglicemive apo dhe hipoglicemive të momentit.

·        Pini shumë lëngje nëse keni çrregullime intestinale apo është shumë nxehtë për të shmangur dehidrimin.

·        Përgatisni ushqimet përpara se t’i konsumoni duke pasur parasysh të keni shumëllojshmëri perimesh dhe sallatrash.

·        Përgatitini sipas preferencave dhe mundësive për t’i konsumuar ushqimet si psh: mish i grirë, patate dhe perime të tjera në formë supërash apo puresh. Frutat duhet të jenë të buta dhe të pjekura mirë.

·        Përdorni ushqime të pasura me kalcium si qumështi dhe nënproduktet e tij.

·        Shmangni vaktet e rënda sidomos para gjumit.

·        Shmangni ushqimet e pasura me yndyrna dhe konsumoni peshk dhe mish të  bardhë(pule)

 Shmangni përdorimin e tepërt të kafes dhe pijeve alkolike.