Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës po ndërhyn përpara stinës së dimrit duke pastruar kanalizimet që kanë probleme me bllokime apo papastërti të ndryshme. Tonin Doda, drejtor Burimeve Mbështetëse pranë UK Rajoni Durrës thotë se kemi kryer disa ndërhyrje deri tani në lagje të ndryshme të qytetit, zonën turistike si dhe Kavajë dhe Krujë. Qëllimi është që të shmangim poblemet e përmbytjeve që na ndodhin gjatë dimrit kur ka reshje intensive të shiut.

Me anë të mjeteve të Ujësjellësit dhe mjeteve të tjera ndihmëse, është mundësuar rikthimi në normalitet i kanalizimeve të ujërave të ndotura, të cilat shpesh bllokohen dhe në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Nga ana tjetër, Tonin Doda iu bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos hedhin mbeturina tek pusetat e rrjetit të kanalizimeve pasi ato krijojnë bllokime dhe probleme me përmbytjet në dimër.

“Gjej rastin t’iu bëj një apel qytetarëve të të gjithë Durrësit që të shmangin hedhjen e papastërtive në pusetat e ujërave të zeza apo ujërave të shiut. Duke i hedhur në këto puseta bëjnë të mundur bllokimin e kolektorëve dhe përmbytjen e Durrësit në raste shirash”, shprehet Tonin Doda drejtor i Burimeve Mbështetëse UK Rajoni Durrës.

Ndërhyrja e mjeteve dhe punonjësve të Ujesjellesit është kryer gjatë natës me qëllim për të shmangur problemet që mund të krijohen nga trafiku i automjeteve.