Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës është duke qëndruar në gatishmëri në çdo zonë të qytetit dhe gjithë zonës së shërbimit për të eliminuar pasojat e mundshme të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.
Gjatë 48 orëve të fundit sasia e reshjeve ka qenë shumë e lartë dhe në rrugë dhe kryqëzime të ndryshme të qytetit ka pasur bllokime të përkohshme të pusetave dhe skarave kulluese. Ndërhyrja e punonjësve ka qenë e menjëhershme dhe situata është normalizuar në një kohë të shpejtë. Falë përkushtimit të punonjësve dhe mjeteve që disponon UK Rajoni Durrës, janë minimizuar përmbytjet me pasoja më të mëdha për qytetin tonë.
UK Rajoni Durrës, bën me dije se ashtu si edhe herët e kaluara, i ka ardhur në ndihmë edhe bashkisë Durrës për zhbllokimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të shiut, sidomos përgjatë shëtitores “Taulantia”, aty ku ka gjithnjë problematikë në rastet e reshjeve të dendura të shiut. Me mjetet e ndërmarrjes, fadromat dhe autoboti teknologjik, është mundësuar zhbllokimi i kanalizimeve të ujërave të shiut që shkarkojnë në det, ndërkohë që janë pastruar në kohë rekord edhe pusetat e bllokuara nga aluvionet që vijnë nga kodrat e qytetit.
UK Rajoni Durrës është i përkushtuar për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, në gjithë zonën e mbulimit, nga Rrogozhina deri në Krujë.





