Ujësjellës Kanalizime Durrës po kryen punimet e fundit për rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm për lagjen e re (ish-Miniera) në njësinë administrative të Manzës. Investimi në fjalë ka vlerën e 14.6 milionë lekëve dhe po kryhet me fonde të vetë ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Durrës.
Qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i furnizimit me ujë për lagjen e re të Manzës, e cila ka mjaft probleme për shkak të rrjetit të amortizuar dhe lidhjeve të shumta të paligjshme. Investimi konsiston në ndërtimin e një rrjeti të ri kryesor shpërndarës me gjatësi 1700 metra linear si dhe 5625 metra linear rrjet sekondar dhe terciar.
Projekti ka parashikuar edhe ndërtimin e 28 pusetave shpërndarëse në të cilat do të instalohen matësit e ujit. Ky investim i vjen në ndihmë afro 900 banorëve, të cilët pritet të kenë furnizim më të mirë me ujë të pijshëm në sasi dhe cilësi. Aktualisht po punohet për shtrimin e rrjetit terciar dhe ndërtimin e pusetave të përbashkëta për instalimin e matësave të ujit.
Duke kryer këtë investim, UKD do të nxjerrë jashtë përdorimit rrjetin e vjetër që operon deri tani jashtë kushteve teknike. Investimi në këtë zonë u bë i domosdoshëm pas problemeve dhe ankesave që banorët e zonës kanë bërë për furnizimin me ujë të pijshëm pranë UKD-së.





