Ujësjellës Kanalizime Durrës nis kontrollin e të gjithë subjekteve që furnizohen me ujë të pijshëm përgjatë aksit rrugor Ura e Gjoles (Fushë Krujë) deri në Shijak.

Grupi task-forcë dhe stafi i repartit Shijak pranë UKD-se kanë nisur mëngjesin e sotëm kontrollin në zonën e Maminasit, Marikaj dhe Fushë Prezës.

Përgjegjësi i repartit të Shijakut Ivo Doçi thotë se aksioni i përbashkët me inspektoriatin do shtrihet nga Fushë Kruja deri te depo e furnizimit në Shijak.

Me rritjen e temperaturave gjatë stinës së verës rritet ndjeshëm konsumi i ujit të pijshëm. Për këtë arsye UKD ka nisur këtë kontroll për të verifikuar të gjitha pikat e lidhjes dhe ndëshkimin e paligjshmërisë në rast të konstatimit tek subjektet që furnizohen me ujë nga burimi i Fushë Krujës.

Bizneset janë konsumatorët më të mëdhenj të ujit të pijshëm dhe shpesh gjatë aksioneve të Ujesjellës Kanalizime  janë konstatuar lidhje të paligjshme si dhe mospagim të rregullt të faturave të ujit.