Ujësjellës Kanalizime Durrës ka nisur punën për verifikimin e të gjitha depozitave të qytetarëve, që kanë probleme me rrjedhjen e ujit.

UKD ka ngritur një grup të posaçëm me punonjës të kualifikuar, të cilët kanë nisur punën për të bërë verifikimin në lidhje me gjendjen e depozitave.

Grupi i punës ka si detyrë fillimisht që të shohë nëse linjat e furnizimit me ujë deri tek depozita kanë rrjedhje dhe nëse funksionojnë galixhanët e tyre. Kjo masë është marrë për të parandaluar humbjet e ujit në rrjet në mënyrë që të gjithë klientët e Ujësjellës Kanalizime Durrës të kenë furnizim normal me ujë të pijshëm.

Pasi grupi i posaçëm verifikon gjendjen e depozitave, ata bëjnë një njoftim tek personat që kanë probleme të rrjedhjes së ujit në depozita, të cilat mund të jenë si pasojë e tubave të çara apo galixhantëve të dëmtuar.

Nëse qytetarët nuk marrin masa për riparimin e këtyre defekteve në pjesën e brendshme të godinave, të cilat nuk janë kompetencë e UKD-së, atëherë do të merren masa administrative ndaj abonentëve të tilla si ndërprerje e furnizimit me ujë apo gjobitje për shpërdorim të ujit të pijshëm.

Masa më e fundit e Ujësjellësit pritet të ketë një ndikim pozitiv për të ruajtur dhe mos shpërdoruar ujin e pijshëm, duke qenë se sezoni turistik sapo ka filluar në qytetin e Durrësit.

Në shumë zona të qytetit ka probleme të shumta me depozita të dëmtuara që shkaktojnë humbje të konsiderueshme të ujit të pijshëm.