Ujësjellës Kanalizime Durrës është duke kryer një investim në rrjetin shpërndarës në ish-stacionin zooteknik Xhafzotaj në mënyrë që të rritet sasia e furnizimit me ujë për këtë zonë. Me fondet e vetë ndërmarrjes është mundësuar hapja dhe shtrimi i një linje të re furnizimi me gjatësi 900 metër linear.
Dega teknike e UKD-së ka menduar që në këtë linjë të vendoset tubacioni i ri me diametër 63 mm, ndërkohë që përgjatë saj po vendosen edhe kasetat ku secila nga familjet do të marrë linjën e re të furnizimit duke hapur kontratë dhe duke vendosur matësin e ujit.
Me realizimin e këtij investimi modest zona në fjalë parashikohet që të furnizohet me 3 orë ujë në ditë, nga 1 orë që merrte më parë. Paralelisht me këtë investim punonjësit e UKD-së kanë pastruar tubacionin kryesor nga lidhjet e paligjshme që ishin bërë gjatë viteve të fundit. Bëhet fjalë për lidhjet e paligjshme që ishin bërë në tubacionin kryesor DN 700 mm. Në kuadër të këtij investimi UKD ka parashikuar ndërhyrje edhe në pjesën juglindore të fshatit në afërsi të shkollës si dhe në fshatin Pjeshkë. Banorët janë shprehur të gatshëm në hapjen e kontratave të reja si dhe vendosjen e matësave si e vetmja rrugë për normalizimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe rritjen e kohës së furnizimi nga 1 në 3 orë në ditë.