Në kuadër të ditës botërore të ujit, Ujësjellës Kanalizime Durrës zhvilloi aktivitete sensibilizuese me nxënës të shkollës së mesme “Dom Nikollë Kaçorri” në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Motoja e ditës botërore të ujit për këtë vit është “Të mos lëmë asnjë prapa” duke përshtatur premtimin kryesor të Axhendës për Zhvillim të Qendrueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara ku parashikohet që ndërsa ky zhvillim bën progres, të gjithë duhet të përfitojnë. Synimi i kësaj axhende është që deri në vitin 2030 të ketë ujë për të gjithë popullsinë, ndonëse ende vlerësohet se në gjithë botën një popullsi prej rreth 2.1 miliard banorë nuk ka ujë të sigurtë.

Për këtë arsye, ashtu si në çdo vit, Ujësjellës Kanalizime Durrës në bashkëpunim me projektin “Mbështetje e BE-së për shërbimet e menaxhimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura” bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Gjermane si dhe nga GIZ, organizojnë më 22 mars Ditën Botërore të Ujit në Durrës. Aktiviteti u vendos që të zhvillohet në shkollën e mesme në zonën e ish-Kënetës ku nëpërmjet mësuesve të kësaj shkolle nxënësit u informuan për rëndësinë jetike të ujit të pijshëm si dhe domosdoshmërisë së largimit të ujërave të ndotura dhe pastrimit të tyre nëpërmjet impianteve të trajtimit.

Nxënësit janë njohur me karakteristikat dhe veçoritë kryesore të Ditës Botërore të Ujit gjatë shpjegimit të mësuesve si dhe fletë-palosjeve të siguruara nga GIZ Albania, një fondacion gjerman që ofron shërbime në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm. Qëllimi i aktiviteteve sensibilizuese është që të ndërgjegjësojë nxënësit e shkollave dhe qytetarët në përgjithësi se si të kontribuojnë në ruajtjen e burimeve ujore, parandalimin e ndotjes së ujit të pijshëm si dhe të kuptojnë rëndësinë për të ruajtur dhe mos shpërdoruar ujin.

Fakte të rëndësishme

  1. 2.1 miliard njerëz jetojnë pa ujë të sigurt në shtëpitë e tyre.
  2. 1 në 4 nxënës të shkollave bazë nuk ka shërbim të ujit të pijshëm, me nxënës që përdorin ujë nga burime jo të sigurta dhe që vuajnë nga etja.
  3. Më shumë se 700 fëmijë nën 5 vjeç vdesin çdo ditë në gjithë botën për shkak të diarresë, sëmundje e cila shkaktohet nga uji i pasigurt dhe higjena e dobët.
  4. Në gjithë botën, rreth 80% e njerëzve që detyrohen të përdorin dhe konsumojnë ujë të pasigurt, jetojnë në zonat rurale.
  5. 8 në çdo 10 gra dhe vajza janë përgjegjëse për të siguruar ujin në zona ku ai nuk mbërrin në banesat e tyre.
  6. Më shumë se 800 gra vdesin çdo ditë nga komplikacione që lidhen me shtatzëninë dhe lindjen e fëmijëve.
  7. Për 68.5 milion njerëz që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, ata nuk mund të sigurojnë dot ujë të pijshëm.
  8. Afërsisht 159 milion njerëz në gjithë botën e sigurojnë ujin e pijshëm nga sipërfaqja e pellgjeve dhe lumenjve.
  9. Rreth 4 miliard njerëz, gati dy të tretat e popullsisë botërore, përjetojnë mungesë të theksuar të ujit në të paktën një muaj në vit.
  10. 700 milion njerëz në gjithë botën mund të jenë të detyruar të zhvendosen nga vendbanimet e tyre deri në vitin 2030 për shkak të mungesës së ujit.