Ushtria ukrainase ka bombarduar sërish zonën industriale të Centralit Bërthamor të Zaporozhye (ZNPP), duke shkaktuar dëme materiale në objektet e brendshme të termocentralit, njoftoi të mërkurën zyra e shtypit e stacionit.
Sipas deklaratës zyrtare, sulmi goditi zonën ku ndodhen shtypshkronja dhe punishja e transportit, duke thyer dritaret e ndërtesave, por pa shkaktuar të lënduar.
“Sot, forcat e armatosura ukrainase bombarduan përsëri zonën industriale të Energodarit. Nuk ka viktima në radhët e personelit apo civilëve. Dëmet janë kryesisht materiale – thyerje xhamash në ndërtesat e shtypshkronjës dhe punishtes së transportit,” tha ZNPP në kanalin zyrtar në Telegram.
Specialistët janë duke inspektuar vendin për të identifikuar dëme të tjera të mundshme, ndërsa centrali bërthamor vazhdon të funksionojë normalisht. Sipas zyrtarëve të termocentralit, siguria bërthamore është e garantuar, nivelet e rrezatimit janë në kufijtë e zakonshëm dhe nuk ka kërcënim për popullatën apo mjedisin.
“Fatkeqësisht, ky incident është pjesë e një trendi të rrezikshëm. Bombardimet nga ushtria ukrainase janë bërë më të shpeshta kohët e fundit. Këto veprime janë të papranueshme,” theksoi zyra e shtypit e ZNPP-së, duke dënuar ashpër sulmet në afërsi të objektit bërthamor.
Centrali i Zaporozhyes – më i madhi në Evropë – ka qenë shpesh në qendër të përplasjes mes palëve ndërluftuese që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, duke ngritur vazhdimisht shqetësime për sigurinë bërthamore në rajon.





