Kiev 2 mars 2014– Autoritetet e Kievit njoftuan sot se u kanë bërë thirrje rezervistëve ushtarakë, pas vendimit të Rusisë për të lejuar vendosjen e trupave të saj në vendin e përfshirë nga kriza.
Presidenti i ngarkuar, Olexander Turchynov ka urdhëruar rritjen e sigurisë në pikat kryesore, duke përfshirë edhe centralet bërthamore. Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk tha se çfarëdo ndërhyrje ushtarake nga Rusia do të shënojë fillimin e “luftës”. Ndërkaq, grupe të armatosura rëndë ruse vazhdojnë të vendosen në disa nga pikat kryesore të Krimesë, përfshirë aeroportet, pikat e komunikimit edhe pse nuk ka pasur përdorim dhune.
Ndërkaq, presidenti i SHBA-së, Barak Obama e ka cilësuar vendimin e parlamentit rus “shkelje të sovranitetit të Ukrainës. Autoritetet zyrtare të Kievit kanë bërë të ditur se do të kërkojnë ndihmën e udhëheqësve të SHBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar për garantimin e sigurisë së vendit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





