Kjo është një nga pikat më të nxehta të frontit juglindor të Ukrainës, zona pranë fshatit Robotyne. Aty presidenti Volodymyr Zelenskiy vizitoi trupat dhe shpërndau medalje për mbrojtësit. Vizita e tij vjen në sfondin e shterimit të ndihmës ushtarake perëndimore, sidomos asaj amerikane dhe gjithashtu debatit për shkarkimin e shefit të ushtrisë.

“Është një nder të jem këtu sot për të mbështetur luftëtarët dhe për t’i shpërblyer. Ata përballen me një mision të vështirë dhe kritik për të zmbrapsur armikun dhe për të mbrojtur Ukrainën”, u tha Zelenskiy trupave në rajonin e Zaporizhias.

Fshati juglindor Robotyne është çliruar në fund të gushtit gjatë kundërofensivës kundër forcave ruse.

Vizita e Zelenskiyt vjen ndërsa janë ngritur pikëpyetje mbi fatin e shefit të ushtrisë, Valeriy Zaluzhnyi. Dy burime thanë të premten se qeveria ukrainase ka informuar Shtëpinë e Bardhë se planifikon ta shkarkojë komandantin e lartë ushtarak, që mbikëqyr luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Dyshimet për largimin e gjeneral Zaluzhnyi, i cili është përplasur me Presidentin Zelenskiy për një sërë çështjesh, vijnë pas kundërofensivës ukrainase të vitit të kaluar, e cila nuk arriti të rikuperonte pjesë të konsiderueshme të territorit që ndodhen tashmë nën kontrollin rus.

I njohur si “Gjenerali i Hekurt”, zoti Zaluzhnyi është një figurë jashtëzakonisht popullore. Largimi i tij mund të dëmtojë moralin mes trupave ukrainase që luftojnë për të mbajtur pozicionet përgjatë më shumë se 1000 kilometra në vijën e parë të frontit.

Më në lindje, pas një sulmi ukrainas me raketa HIMARS, u vranë të paktën 28 vetë në qytetin e pushtuar Lisiçansk. Burimet ukrainase thanë se aty ishin mbledhur komandantë të lartë të ushtrisë ruse.

Ministria për Emergjencat tha të dielën se rreth 10 vetë u nxorën të gjallë nga rrënojat.

Rusia nga ana tjetër ka vazhduar disa operacione sulmuese të lokalizuara: pranë Kupianskut në veri dhe përreth qytetit industrial Avdivka, në jug.

Në Moskë, policia arrestoi rreth 20 gazetarë për disa orë të shtunën gjatë një tubimi të grave të ushtarëve rusë që kërkuan kthimin gjallë të burrave të tyre nga fronti.

“Familjet tona nuk e menduan kështu. Burrat tanë nuk ishin të gatshëm për këtë situatë as moralisht, as fizikisht. Ata nuk janë ushtarakë profesionistë, ata janë civilë. Është e nevojshme t’i kthejmë në shtëpi nga fronti,” tha gruaja e një ushtari të mobilizuar.

Gazetarët, duke përfshirë një të agjencisë Reuters, të cilët po mbulonin protestën, filmuan gratë duke vendosur karafila të kuq pranë varrit të ushtarit të panjohur nën hijen e mureve të Kremlinit në qendër të Moskës.