Situatë alarmante në jug të Ukrainës, ku qyteti i Odessa-s dhe zonat përreth janë përfshirë nga përmbytje të mëdha si pasojë e motit ekstrem. Sipas shërbimit shtetëror të emergjencave, në total janë konfirmuar nëntë viktima, përfshirë edhe një fëmijë, ndërsa reshjet e dendura kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“I gjithë qyteti është nën ujë,” dëgjohen të thonë banorët në video të postuara në rrjetet sociale, teksa tregojnë pamje dramatike të rrugëve të përmbytura, ku automjetet janë bllokuar dhe qarkullimi është paralizuar. Autoritetet raportojnë se reshjet e shiut mund të kalojnë nivelin prej 80 mm, duke tejkaluar rekordet historike të rajonit.

Ndërkohë, rreth 24,000 persona kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjetin e furnizimit. Ekipet e emergjencës janë të angazhuara në mënyrë intensive për të ndihmuar qytetarët e izoluar, ndërkohë që vazhdon puna për rikthimin e energjisë dhe zhbllokimin e rrugëve kryesore.

Meteorologët paralajmërojnë se rreziku nuk ka kaluar, pasi reshjet pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet për sigurinë.

Odessa përballet aktualisht me një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore të viteve të fundit.