Ukrainë, 7 mars 2014– Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov nënshkroi një dekret, që anullon referendumin e planifikuar për shprehjen e vullnetit, lidhur me bashkimin e Krimesë me Rusinë.
Por nga ana tjetër, zyrtarë të parlamentit rajonal të Krimesë këmbëngulën se ky proces do të zhvillohet sipas planit.
Zoti Turçinov e quajti referendumin e planifikuar një "farsë". Ai tha se parlamenti ukrainas do të mbrojë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit. Jo vetëm kaq, por parlamenti i Ukrainës, do të fillojë procedurën për të shpërndarë parlamentin e Krimesë.
Kryeministri i përkohshëm ukrainas, Arseny Yatsenuk, ka paralajmëruar kuvendin e Krimesë se ndërkombëtarët nuk do ta njohin referendumin për bashkimin e Krimesë me shtetin rus.
Kreu i dhomës së lartë në parlamentin rus tha se nëse qytetarët e Krimesë votojnë masivisht pro bashkimit me Rusinë më 16 Mars, atëherë vendi i tij do ta mbështesë këtë zgjedhje.
Në reagimin e parë zyrtar, pas vendosjes së sanksioneve nga BE, Moska deklaroi se nuk do ta pranojë gjuhën e kërcënimeve nga SHBA dhe aleatët europianë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





