Rusi, 24 prill 2014 – “Nëse regjimi i Kievit përdor ushtrinë kundër civilëve në vend, ky është pa asnjë dyshim një krim shumë i rëndë kundër popullit”. Deklarata vjen nga presidenti rus Putin i cili ka shtuar se këto veprime do të kenë pasoja. Sipas mediave vendase, 5 civilë filorusë kanë mbetur të vrarë nga forcat ukrainase në një sulm në Slovianjsk që konsiderohet një bastion i separatistëve.
Fillimisht autoritetet shëndetësore të rajonit Donjetsk, territor ku ndodhet dhe Slovianjsk, flisnin për një të vrarë dhe një të plagosur. ndërsa ministria e brendshme ukrainase deklaronte se ishte qëlluar një ushtar dhe se trupat ushtarake të Kievit kishin shkatërruar në Slovianjsk tre postblloqe të vendosura nga filorusët në hyrje të qytetit. Kievi, ndër të tjera, u ka kërkuar banorëve të Slovianjsk që të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe të mos lënë fëmijët të pashoqëruar në rrugë.
Ndërsa janë konsideruar shumë të forta deklaratat e presidentit rus Putin pas lajmit se pesë filorusë kanë mbetur të vrarë. “Ndërhyrjet ushtarake kundër popullit ukrainas do të kenë pasoja, ka thënë ai, mbi ata që marrin këto vendime në Kiev, por dhe në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Rusisë”.
Putin gjithashtu ka akuzuar Kievin se nuk po çarmatos nacionalistët radikalë, por po i legalizon ata, në kundërshtim me atë që parashikohet nga marrëveshja e Gjenevës, e nënshkruar në 17 prill mes Ukrainës, Rusisë, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





