Tre vëllezër shqiptarë kanë dhunuar pronarin e një lokali në Itali, ku sipas raportimeve të mediave fqinje, ngjarja ndodhi në zonën Gardolo, pas një konflikti mes pronarit të bar “Milena” dhe tre vëllezërve. Gjithçka nisi kur pronari vuri re mungesën e energjisë elektrike në lokal dhe u drejtua për të kontrolluar sahatin e pallatit.
Në momentin që dera iu hap, ai u përball me një sulm të menjëhershëm nga njëri prej vëllezërve, i cili e akuzoi për zhurmë të lartë muzike. Pavarësisht sqarimit se lokali mbyllej në orën 20:00, situata doli jashtë kontrollit: pronari u godit me kokë dhe përfundoi në tokë.
I plagosuri arriti të strehohej brenda lokalit për të kërkuar ndihmë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e rendit. Por tensioni u përshkallëzua edhe më tej, kur dy vëllezërit e tjerë iu bashkuan konfliktit, duke shkatërruar ambientet e lokalit. Tavolina dhe karrige u hodhën drejt xhamit, duke e thyer atë, ndërsa brenda u dëmtuan një sërë pajisjesh dhe objektesh.
Përplasja vijoi edhe me karabinierët, ku një efektiv mbeti i plagosur, ndërsa një tjetri iu dëmtua pajisja “taser” gjatë ndërhyrjes.
Në përfundim, tre vëllezërit, rezidentë në Trento, u arrestuan dhe tashmë po përballen me drejtësinë për veprimet e tyre. Nga ana tjetër, pronari i lokalit përfundoi në spital me traumë në kokë dhe dëmtime të shumta trupore, duke marrë një raport mjekësor prej 10 ditësh.
Në seancën e fundit gjyqësore, të zhvilluar më 8 prill, avokati i tij kërkoi një dëmshpërblim prej 70 mijë eurosh për dëmet fizike dhe materiale, ndërsa çështja është shtyrë për një shqyrtim më të thelluar.





