TIRANE– Tarifat e siguracioneve të makinave duket se kanë hyrë në një fazë pingpongu, ku kompanitë përpiqen me të gjitha mënyrat për të ruajtur pjesët e tyre të tregut. Gazeta “Panorama” ka bërë një vëzhgim për tarifat që aplikohen për mjetet më të zakonshme që kanë në përdorim qytetarët.

Nga ky vëzhgim ka rezultuar se çmimet për një makinë me kapacitet motorik nën 1600 kubik të variojnë nga 6 mijë lekë minimumi, në 7500 lekë maksimumi. Ndërkohë që për makinat mbi 1600 kubik çmimet variojnë sipas kompanive, nga 6900 në 8200 lekë në vit. Në pamje të parë duket se tregu po funksionon dhe se konkurrenca ka bërë që çmimet të ulen ndjeshëm. Por në të vërtetë janë sërish qytetarët ata që penalizohen nga këto çmime.

Një prim sigurimi makine, prej 6 mijë lekësh, sigurisht që është vështirë për të mbuluar dëmet që vijnë nga aksidentet. Kjo është arsyeja pse shpesh, ose më saktë në masën dërrmuese të rasteve të aksidenteve, qytetarët vonojnë ose marrin kompensime minimale për dëmtimin e automjeteve.

Caktimi i dyshemesë

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare e liberalizoi tregun e siguracioneve të makinave. Kjo solli menjëherë një ulje të çmimeve nga kompanitë në konkurrencë me njëra-tjetrën. Por shumë shpejt u pa që çmimet e ulëta nuk garantonin dëmet. Për këtë arsye, AMF ka përcaktuar një tarifë dysheme, e cila garanton pagimin e dëmeve nga kompanitë për rastet e aksidenteve.

Në gjuhën teknike, quhet “Primi i rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta”. Pra, është tarifa e cila është e detyrueshme për të garantuar që në rast se makina aksidentohet, kompania ka mundësi të paguajë dëmet.

Në bazë të kësaj llogarie, sigurimi i makinave me kapacitet deri në 1600 kubik duhet minimalisht të ketë një tarifë sigurimi prej 9,600 lekësh në vit, ndërsa për makinat mbi 1600 kubik një tarifë prej 14 mijë lekësh në vit.

Ky është çmimi dysheme, pa llogaritur kostot e tjera të kompanisë, e cila sigurisht që duhet të fitojë diçka nga ky shërbim. Por në treg është vënë re një ulje e fortë e çmimeve gjë që prek jo vetëm konkurrencën, rrezikon pagesat e dëmeve, por edhe shkel vendimin e AMF, të 29 tetorit të kaluar.