Çmimi i gazit, që tregtohet në pikat e shitjes së karburanteve, ka shënuar një rënie me 5 lekë për litër gjatë ditëve të fundit. Në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit, një litër gaz shitet me 62-69 lekë për litër, nga deri në 75 lekë për litër që kishte arritur së fundmi. Vetëm në kryeqytet gazi vijon ende të shitet me 70- 75 lekë për litër.

Aktorët e tregut pohojnë se mbarimi i stinës së dimrit ka ulur çmimin e gazit në tregjet ndërkombëtare, që gjithnjë rritet në stinën e ftohtë dhe kjo është reflektuar dhe në vend.

Megjithatë, gazi mbetet 40-50% më i shtrenjtë në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kur ai tregtohej me 40-48 lekë për litër. Çmimet u rritën me tri faza në total me rreth 70% në javët e para të vitit, duke reflektuar vendosjen e akcizës së gazit, me rreth 10 lekë për litër (8 lekë akciza e gazit, plus TVSH), si dhe periudhën e ngricave.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur ndërkohë hetimin në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.

Nafta ulet në bursa, a do reflektohet te ne?

Nafta referencë amerikane West Texas Intermediate ra nën 50 dollarë për fuçi të premten në $49.39. Treguesi referencë global Brent ra me $1.24 në $51.75 për fuçi.

Të dy referencat ranë më shumë se 7 përqind javën e kaluar, duke shënuar tkurrjen më të madhe javore që nga fillimi i muajit mars.

Teksa reduktimi i ofertës nga prodhuesit e Opec brenda dhe jashtë kartelit, që filloi në janar, bëri që çmimet të shtrenjtoheshin në muajt e parë të vitit, shtimi i prodhimit nga SHBA-ja i ka vendosur aktualisht  tregjet mes dy forcave konkurruese.

Në tregun vendas, nafta u rrit një javë më parë, duke reflektuar shtrenjtimin në bursa ku Brent i kaloi 56 dollarë për fuçi, duke bërë që një reduktim me 5 lekë për litër të zgjaste vetëm me dy javë. Por, tashmë që nafta ra sërish, operatorët pohojnë se reagimi mund të jetë minimal në tregun vendas, për shkak të rivendosjes së së tarifave të rilicencimit prej 3 milionë lekë për stacion karburanti e gazi në Tiranë dhe 1 milion lekë në rrethe. Sipas tyre, këto tarifa pritet të ndikojnë me 5-6 lekë për litër në çmimin e naftës dhe si rrjedhojë do të amortizojnë efektin e pritshëm në tregun e brendshëm.

Aktualisht një litër naftë në tregun vendas luhatet mes 171-174 lekë për litër. Kujtojmë se në periudhën 2013-2014 kur nafta në bursa arriti deri në 120 dollarë për fuçi, nafta te ne tregtohej me maksimumi me 180-185 lekë për litër. Shtrenjtimi i dollarit dhe rritja e barrës së taksave ka bërë që nafta të mbetet në nivele të larta në tregun vendas, duke u renditur ndër 35 më të shtrenjtat në botë, sipas të dhënave krahasuese nga Global Price Petrol.

GRAFIKU 1: Ecuria e treguesit Brent gjatë vitit të fundit

GRAFIKU 2: Ecuria e treguesit Brent gjatë 5 viteve të fundit

/MONITOR/