TIRANE– Buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2013 është ulur në masën 2.5%. Lajmi është bërë publik nga vetë institucioni, i cili u ka dërguar gazetarëve projektbuxhetin, ku thuhet se do të kihen parasysh 7 programe buxhetore, konkretisht: Planifikim-Menaxhimi dhe Administrimi; Trashëgimia Kulturore; Arti dhe Kultura; Sporti; Rinia; Zhvillimi i Turizmit dhe Mbështetje për Kultet.
Ajo që vihet re nga analiza sipas zërave buxhetorë, shpenzimet për paga e sigurime shoqërore zënë 47.6%, shpenzimet korrente 29.7% dhe shpenzimet për investime 22,7%, pra kjo e fundit është një përqindje shumë e vogël.
Parë sipas programeve buxhetore, Programi i Artit dhe Kulturës përbën 37,5% të totalit, Programi i Trashëgimisë Kulturore 20%, Programi i Zhvillimit të Sportit 23%, Programi i Planifikim-Menaxhimit 8%, Programi i Zhvillimit të Turizmit 5%, dhe Programi Mbështetje të Bashkësive Fetare 6%.
Ndërkohë që, Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës, që këtë vit pritej të kishte shumëçka në dorë, përmendet tangent.
Fondet buxhetore për shpenzimet korrente në drejtim të Trashëgimisë Kulturore janë planifikuar për të realizuar: restaurime të afreskeve, ikonave, ikono-staseve, mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, mbulimin e shpenzimeve të shërbimit të ruajtjes së institucioneve tona kombëtare, si Muzetë, Kalatë, Parqet Arkeologjike, etj.
Një fond i veçantë shkon për përfundimin e ndërtimit të Muzeut të Genocidit, Shkodër. Ky muze, i ngritur në ndërtesën e ish-hetuesisë dhe burgut komunist Shkodër, është muzeu i parë i këtij lloji në Shqipëri, simbol i persekutimit komunist të këtij qyteti. MTKRS-ja ka akorduar një shumë prej 13.500 mijë lekësh të reja.