Pas mbledhjes së sotme të qeverisë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi zbuloi vendimin për disa ndryshime në kriteret e pranimit të studentëve në disa nga programet e studimit të ciklit bachelor. Maturantët që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5, do të mund të aplikojnë për programe studimi të gjuhëve të huaja, si dhe për disa programe të tjera që kanë synim profesione të ndryshme, përveç mësuesisë.
Nisur nga shqetësimet e ardhura nga institucione të arsimit të lartë për kriteret e pranimit në këto programe, me propozim të Ministrisë së Arsimit, sot u sollën disa ndryshime. Për ata që synojnë të bëhen mësues mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5, por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj. kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6,5.
Ata që do të aplikojnë në këto programe studime do të pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk lejon ndjekjen më pas të programeve të ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.
Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues. Krahas ruajtjes së nivelit të cilësisë në profesionin e mësuesit, synohet edhe plotësimi i nevojave reale të tregut të punës, si dhe mospenalizimi i nxënësve apo studentëve të cilët synojnë profesione të tjera.
Ky vendim pritet që të rrisë numrin e studentëve në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në disa programe të tjera studimi që mundësojnë profesione të ndryshme përveç mësuesisë.
Ky vendim siguron trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe megjithëse nuk zgjedhin të bëhen mësues, duan të ndjekin programe të tjera studimi.
Qendra e Shërbimeve Arsimore do të ofrojë kode të veçanta matrikullimi për studentët që nuk vijojnë studimet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.
Fjala e plotë e ministres Kushi:
Në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave miratuam një ndryshim në VKM, i cili përcakton notën mesatare që duan të vazhdojnë studimet e larta në universitete. Konkretisht të gjithë e dinë që me reformën e mësuesisë në vitit 2017, sot të gjithë maturantët që vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë minimumi mesatares 7.5
Por ndërkohë shqetësimet që kemi patur nga universitetet lidhen me faktin që këto programe jo të gjithë maturantët që regjistrohen, duan të bëhen mësues. Jemi të gjithë dakord që mësuesit duhet të jenë më të mirët, kemi një dakordësi edhe me universitetet që kriteri për ata që duhet të bëhen mësues kriteri duhet të jetë 7.5 por në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të hyjnë në një profesion tjetër.
Për ta konkretizuar me një shembull. Jo të gjithë ata që vazhdojnë për gjuhë të huaj, duan të bëhen mësues. Mund të ketë nga ata që duan të vazhdojnë për gjuhë të huaj por të bëhen përkthyes, apo të punojnë në një institucion tjetër.
E njëjta gjë edhe për ata që studiojnë për Gjuhë-Letërsi. Jo të gjithë që shkojnë për Gjuhë-Letërsi duan të bëhen mësues.
Ka nga ata që janë të apasionuar pas letërsisë dhe duan të punojnë në një shtëpi botuese apo të shkruajnë.
Me vendimin e sotëm ne u japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikullimit që më pas të mos vazhdojë për mësuesi por në programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera.
Është një ndryshim të cilin ne e kemi dakordësuar edhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm akademik numri i studentëve që regjistrohen në këto programe të jetë më i lartë. Sepse në këto vite ka qenë shqetësim nga universitetet që numri i regjistrimeve ka qenë shumë i ulët pikërisht për shkak të këtij kufizimi të mesatares.
Për sa i takon mësuesve, ne përsëri jemi shumë rigorozë dhe kërkojmë që mësues të bëhen më të mirët. Mësues do të vazhdojnë të jenë maturantët që kanë mesatare minimumi 7.5. Ndërkohë që në këto programe ne do t’i hapim edhe për të tjerët që duan të marrin profesione të tjera, por të studiojnë për gjuhë të huaj, për bio-kimi, matematikë, fizikë etj.
Ndërkohë ne jemi duke finalizuar një paketë për të mbështetur programet e mësuesisë. Si programet prioritare edhe me reduktim tarifash edhe me përjashtim nga tarifa, apo mbështetje studentore.
Javën e ardhshme besoj do ta kemi gati dhe do ta prezantojmë si një paketë të plotë për të nxitur sa më shumë të rinj e të reja që të vazhdojnë të studiojnë për mësuesi, por edhe për programe të tjera që janë prioritare për zhvillimin e vendit.