Në maternitetin e Durrësit, numri i lindjeve ka pësuar një rënie shqetësuese në 10-vjeçarin e fundit.  Ndërsa në vitin 2014 u regjistruan mbi 3000 lindje, sot ky numër është reduktuar ndjeshëm. 2 vite më parë u regjistruan 1896 lindje, në vitin 2024 ky numër ra në 1841 lindje,  ndërsa për 8-mujorin e parë të vitit 2025 janë vetëm 733 lindje.

“Në total vihet re një ulje duke e parë nga viti në vit. Kjo ulje e numrit të lindjeve është një ulje globale, jo vetëm në vendin tonë, dhe ndikojnë disa faktorë. Faktor social, faktor ekonomik, lidhet me faktin se rritja e një fëmije ka kosto, kosto lidhur me banesën, rritjen, edukimin dhe kushtet ekonomike të fëmijës. Prindërit stepen të bëjnë shumë fëmijë siç bënin më parë; tani reduktohet deri në 1–2 fëmijë“,- thotë shefja e maternitetit të Durrësit, Diana Shahini.

Rënia e numrit të lindjeve nuk lidhet vetëm me zgjedhjet individuale të çiftit, por edhe me pasigurinë ekonomike dhe kushtet sociale të familjeve të reja durrsake. Emancipimi i grave dhe kërkesat e tyre në rritje për edukim cilësor dhe karrierë janë një tjetër faktor që ndikon drejtpërsëdrejti në uljen e numrit të lindjeve.

“Gratë kërkojnë të jenë më të pavarura, më të kulturuara dhe të edukuara, kërkojnë të ndjekin shkollat e larta dhe kjo bën që të mos martohen në kohën e duhur. Vihet re një trend i ri nga të dy partnerët për të shtyrë kohën e martesës”,– thotë Shahini.

Ulja e numrit të lindjeve në një qark që në 10 vite e ka rritur popullsinë është një tregues social alarmant. Por kjo është reflektim edhe i emigrimit masiv të brezit të ri dhe Durrësi si shumë qytete të tjera shqiptare tashmë po përballet me një realitet të ri.

Me uljen e numrit të lindjeve dhe plakjen e popullsisë që po ecën me ritme të shpejta, efektet do të jenë gjithnjë e më të ndjeshme në mjaft sektorë të ekonomisë në vitet dhe dekadat e ardhshme.