“Kemi një rënie me 25% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2022.
Në vitin 2022, përgjatë 9 muajve kemi 29 raportime dhe inspektime, ndërkohë në 9-mujorin e 2023 kemi në total 23 aksidente apo incidente në punë, ku nga këto, në 2022 4 kanë qenë me pasojë vdekjen, ndërsa në 2023 kemi 5 me pasojë vdekjen.”

Kjo është përgjigjja e Bledar Vokës, drejtues i Inspektoriatit të Punës Durrës, pyetur nga “DurrësLajm” për rastet e incidenteve në punë në qytetin bregdetar.

Sipas Vokës, rastet më të shumta të aksidenteve me pasoja fatale për jetën nuk lidhen drejtpërdrejtë me procesin e punës.

“Rastet që kemi pasur më shumë të vdekur, 1 ka qenë në ndërtim dhe 4 të tjerët kanë qenë aksidente rrugore.

Dhe ligji, dhe VKM-ja 788, e përcakton që kur një person, edhe nëse është nisur për në punë, apo duke u kthyer nga puna, ajo kategorizohet si aksident në punë, pavarësisht se ka qenë jashtë detyrave të caktuara.”,- thotë ai.

Numri më i madh i subjekteve të inspektuara, për shkak të aksidenteve në punë, rezulton tek ndërmarrjet prodhuese.

Voka thotë se “ndërtimi nuk ka pasur shumë, kemi qenë shumë më mirë në krahasim me ndërmarrjet prodhuese, aty ndodhin rastet më të shumta.”

Nevoja për riinspektime tek subjektet me risk, pamundësia për inspektim tek subjektet me pak punonjës apo dhe ato me të vetëpunësuar, janë disa nga problemet që Inspektoriati Durrës has në punën e përditshme.

“Ndërgjegjësimi, por jo tek të gjithë subjektet, ky është problemi. Duhet më shumë punë në ndërgjegjësimin, duhet bërë me fushata. Janë 13 000 subjekte në qarkun e Durrësit, ndërsa ne arrijmë të bëjmë diku tek 1200 inspektime në vit. Na duhen vite që ne të kalojmë në filtër të gjithë subjektet”,- deklaron drejtori i Inspektoriatit.

Pak ditë më parë, 35-vjeçari Andi Lala humbi jetën në lagjen nr.13, pasi ra nga kova e vinçit, teksa po priste palmat për llogari të një kompanie private.

Në pranga ranë shtetasit Enrik Mahmutaj, 33 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i firmës dhe Blerim Margeshi, 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i vinçit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.