Ulet numri i aksidenteve rrugore, dhe atyre me pasoja të rënda me viktima gjatë këtyre 7 muajve të 2020-s. Nga të dhënat e publikuara nga INSTAT, në muajin korrik 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është ulur me 26,3 % krahasuar me një vit më parë. 168 është numri i të aksidentuarve në korrikun e këtij viti, nga 228 që ishte një vit më parë.
Edhe numri i të aksidentuarve në shtatëmujorin e vitit 2020 është ulur me 30,6 %, me 824 persona të aksidentuar nga 1.188 persona krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në muajin korrik 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona nga 13 persona të vdekur në korrik 2019. Në shtatëmujorin e 2020-s, vihet re se ka një numër më të ulët viktimash nga aksidentet rrugore: 88 persona nga 115 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga të dhënat e INSTAT që “DurrësLajm” përpunon për Durrësin, vihet re se shifrat janë të përafërta në këto dy periudha. Në korrik 2020 në qarkun e Durrësit kanë ndodhur 9 aksidente me 0 viktima. Ndërsa në korrik 2019 janë regjistruar 8 aksidente, me pasojë 1 viktimë.
Në periudhën janar – korrik 2020 janë shënuar 60 aksidente, nga 68 të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa numri i viktimave ka mbetur gati i njëjtë. Në shtatëmujorin e 2020-s kanë humbur jetën 15 persona, nga 14 që humbën jetën në shtatëmujorin e 2019-s.
Shkaqet e aksidenteve
Në muajin korrik 2020, aksidentet rrugore në 83,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 30,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 13,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa në total në shtatëmujorin e 2020-s, aksidentet rrugore në 16,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 12,1 % krahasuar me një vit më parë.
S.L.





