Stoku në Gjykatën e Lartë është ulur në 18 mijë e 665 çështje gjatë vitit 2024, nga mbi 35 mijë që ishte në 2020 kur kjo gjykatë nisi punën. Në konferencën e përvitshme, kryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi, bëri të ditur se gjatë këtij viti që po lëmë pas, janë dhënë 7639 vendime gjyqësore.
“Puna voluminoze prej 32.393 vendime të dhëna në katër vjet evidenton dukshëm tejkalimin e backlogut, i cili aktualisht është ulur në 18,665 çështje. Për vitin 2024 janë dhënë 7639 vendime gjyqësore, nga të cilët 2875 vendime i përkasin Kolegjit Civil, 2591 vendime të Kolegjit Administrativ dhe 2173 vendime të Kolegjit Penal”.
Secili gjyqtar, këtë vit ka dhënë mesatarisht 449 vendime.
“Gjykata e Lartë ka mbi 3 vjet që tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për 2024 një normë të likuidimit të çështjeve prej 312% dhe me një ngarkesë për çdo gjyqtar me një shifër rekord, afro 449 vendime në vit”.
Për të disatin vit me radhë, Sadushi tha se problem mbeten rekurset që nuk plotësojnë kriteret e pranueshmërisë dhe që flet për nivel jo të mirë profesional të përfaqësuesve ligjorë.
“Mënyra se si paraqiten rekurset është një problem tepër serioz për nivelin e përfaqësuesve, që lidhet me mosndjekjen në vijimësi të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë. Procedura e seleksionimit të rekurseve që aplikon Kolegji Administrativ, e cila po jep rezultat pozitiv në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, evidenton njëkohësisht edhe shqetësimin lidhur me mungesën e profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë”.
Sadushi komentoi edhe ngërçin që u krijua me vakancën në Gjykatën Kushtetuese, ku tha se u zgjidh falë bashkëpunimit me median dhe vendimit të gjyqtares kushtetuese. Ai shtoi se i qëndron ripërtëritjes së gardianit të Kushtetutes në çdo tre vite.