Partia Demokratike është shprehur se ulja me 2 lekë e çmimit të naftës është shuplakë për konsumatorin.
Komentet u bënë përmes anëtarit të Kryesisë së kësaj force politike, Aldo Bumçit.
Brumçi e ka cilësuar tallje uljen e çmimit të naftës në vend, nga 240 në 238 lekë për litër.
Ai shtoi se bordi i transparencës është bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve, ndërsa shtoi se në bursën ndërkombëtare nafta ka shkuar në 95 dollarë për fuçi, por kjo ulje nuk është pasqyruar në vendin tone.
Deklaratë e Aldo Brumçit:
Tallja e qeverisë me qytetarët, ulin me 2 lek çmimin e naftës. Bordi i transparencës bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve.
Bordi i Transparencës e ka ulur çmimin e naftës në vend nga 240 në 238 lekë për litër.
Dylekëshi i bordmenëve të qeverisë dhe oligarkisë nuk është ulje, por një shuplakë për konsumatorin shqiptar.
Në bursën ndërkombëtare nafta ka shkuar në 95 dollarë për fuçi.
Kjo rënie globale nuk duket askund në çmimin e Bordit të Transparencës.
Të vetmet raste kur çmimet në Shqipëri lëvizin, është kur nafta në tregjet ndërkombëtare rritet.
Standardi i përdorur nga grosistët, i lejuar dhe bekuar nga qeveria, është tregues i talljes dhe babëzisë me qytetarin.
Partia Demokratike bën thirrje edhe njëherë që bordet të tërhiqen, duke mos i dhënë rast Edi Ramës t’i përdorë si mekanizëm propagande.
Bordet nuk shërbejnë për gjë tjetër, veç si shfajësim i qeverisë për abuzimet me çmimet e larta të hidrokarburve.
Çdo ditë që kalon e bën Bordin e transparencës bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve.
Mosreflektimi i uljes së naftës në bursa në tabelat e çmimeve të karburanteve në vend, është shenjë se Bordi nuk bën transparencë, por shërben si gjethe fiku.
Nuk i mbron qytetarët, por sajdis qeverinë dhe oborrin e biznesit kryeministror.
Me naftën, ushqimet, pasigurinë e jetës dhe humbjen e shpresës, Shqipëria është një vend në rrezik.
Nuk duhet të largohen shqiptarët nga vendi, por rreziku.