12 shtator 2015 – Çmimi i naftës pritet të shkojë deri në 20$ për fuçi duke njohur kështu një kuotë që nuk është dëgjuar kurrë më parë. Paralajmërimi vjen nga analistët e Goldman Sachs, të cilët nëpërmjet një raporti shpjegojnë edhe arsyet pse pritet të ndodhë diçka e tillë. Në të thuhet:
“Tregu i hidrokarbureve është i tejngopur krahasuar me atë çfarë prisnim të ishte dhe parashikimit për një rritje të prodhimit nga vendet e OPEC-ut e kërkesës gjithnjë e në rënie nga përdoruesit e saj përfshi këtu edhe tregun kinez dhe ekonominë e dobët që po përballet ai, na detyrojnë të ndryshojmë qëndrim. Duke pasur parasysh këto të dhëna mund të themi që gjatë vitit 2016 çmimi do të bjerë gjithnjë e më shumë duke arritur nivelin e 20$ për fuçi”.
Çmimi i naftës ka qënë vërtet i trazuar këto kohë kur në fillim të vitit një fuçi shitej për 45$ dhe filloi të rritej duke kapur kuotat e gati 60$ për fuçi. Kjo në fakt i gëzoi tregtuesit e naftës, por mbiprodhimi dhe reagimi i tregjeve solli një ulje sërish të saj kur të premten në tregun amerikan shitja e një fuçie nafte kapi vlerën e 45.12$. Paralajmërimet e analistëve të Goldman Sachs vijnë në një moment kur prodhuesit nuk duan të ulin prodhimin e tyre pavarësisht parashikimeve.
Vitin që vjen, Opec, pritet ta rrisë sërish sasinë e nxjerrjes së naftës, kryesuar nga prodhimi në Arabinë Saudite, Irak dhe Iran. Gjithashtu, prodhuesit e naftës argjilore amerikane nuk ndalen pasi edhe kostoja e prodhimit të tyre është e ulët. Po sipas analistëve, në mënyrë që nafta mos të krijojë stoqe të mëdha duhet që prodhuesit amerikanë dhe ata të vendeve të OPEC-ut ta ulin sasinë e prodhimit me 605.000 fuçi në ditë. /Top Channel
/portali DurresLajm/