Kryeministri Edi Rama, në një takim me pensionistët, shpjegoi se pse, sipas tij, nuk funksionon logjika e atyre që thonë “uljani rrogat deputetëve dhe jepjani pensionistëve”.

“Disa thonë që uljani rrogat deputetëve dhe jepjani pensionistëve. Mirë që gjithë dita iu kalon duke u marrë me nipër e mbesa apo me dhëndurrë, por ju duhen dhe ata që ju dalin në darkë në televizor. Nuk ka lidhje fare sepse ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet çdo muaj. Pra, pensionet mbulohen me ato kontribute, ndërsa taksat janë për investimet dhe jo për pensionet. Me të gjithë ata që i shmangen pagesës së kontributeve shoqërore do të sillemi si me ata që nuk paguanin energjinë elektrike”, deklaroi kryeministri.

“Kjo qeveri ka bërë dy gjëra për pensionet që po të ishin bërë më përpara, nuk do ishim këtu. E para, ka bërë një reformë pensionesh që ka bërë që njerëzit të dalin me pension më të lartë duke nisur nga viti 2014. E dyta, në atë reformë ka thënë që nuk mund të lëmë asnjë të moshuar pa pension, edhe pse nuk figuron në asnjë lloj regjistri sigurimesh shoqërore dhe është kategori e gjysheve shtëpiake. Këtë e kanë shumë pak vende në Evropë”, shtoi Rama.