Banorët e Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës kanë dalë sërish në rrugë në aksin Thumanë-Kashar pasditen e kësaj të premteje ku kanë zhvilluar protestën e nëntë të tyre, teksa kërkojnë hyrje dhe dalje në rrugën e re.

Deputetja e Partisë Demokratike për Krujën, Andia Ulliri u shpreh se në vetëm pak kohë që është hapur rruga është parë një rënie e madhe në të gjithë xhirot e të gjithë bizneseve të zonës.

Nga protesta, deputetja demokrate thotë se ajo dhe qytetarët u bëjnë thirrje të gjithë institucioneve duke filluar nga ministria dhe drejtoria e ARRSH-së, të reagojnë një orë e më parë.


FJALA E DEPUTETES ANDIA ULLIRI SOT NË PROTESTË

Duhet ta bëjmë të qartë që ne banorët e bashkisë Krujë nga Fushë-Kruja, Kruja, Nikla dhe të gjithë fshatrat, jemi këtu sot dhe duam të na dëgjohen kërkesat, nuk kemi kërkuar asgjë që është luks, kemi kërkuar vetëm atë që është e drejta jonë kushtetuese, për çdokënd që e dëgjon , për të gjithë qytetarët shqiptarë, ata na kanë mohuar neve hyrje –daljet.
Protesta jonë është legjitime, duhet të realizohen nyjet e shkëmbimit siç ishin në projekt.

Duhet të merret në konsideratë kërkesa e gjithë banorëve të bashkisë Krujë, sepse sot neve na është hequr e drejta për t’u zhvilluar, jemi izoluar dhe na kanë fshirë nga harta e Shqipërisë.

Vetëm në pak kohë që është hapur rruga kemi parë një rënie të madhe në të gjithë xhirot e të gjithë bizneseve të zonës, kemi vërejtur që kjo rrugë jo vetëm që është antiligjore si vendim për tu mbyllur, rruga nacionale Milot- Fushë-Krujë, por kemi parë dhe dëmet në një afat shumë të shkurtër.

I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve duke filluar nga Ministria, drejtoria e ARRSH-së, të reagojnë një orë e më parë, dhe i bëjmë thirrje policisë të mos ushtrojnë dhunë dhe presion ndaj banorëve sepse këtu jemi në ligjshmërinë tonë.