Shqiptarët e Ulqinit në Malin e Zi vijnë për herë të dytë në Durrës brenda një kohe të shkurtër, për të organizuar dy aktivitete kulturore, që forcojnë edhe më shumë lidhjet mes dy komuniteteve; atij ulqinak dhe atij durrsak.

Në hollin e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës u çel ekspozita me punime të nxënësve të gjimnazit “Vllazrim Bashkim”, ekspozitë e cila përkon me 60-vjetorin e hapjes së kësaj shkolle të mesme në qytetin e Ulqinit.

Kryetari i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi, Gzim Hajdinaga tha se përveç ekspozitës, në Durrës ka ardhur edhe kori i grave intelektuale të Podgoricës, i cili do të interpretojë këngë ballkanike në gjuhë të ndryshme.

Kori KIC Pop është i përbërë nga 60 të apasionuara dhe dashamirëse të vërteta të muzikës dhe këngës, nga profesione dhe gjenerata të ndryshme.

Kori nga Podgorica interpretoi në skenën e teatrit të Durrësit një program të larmishëm, ku përveç repertorit të tyre kombëtar koristet kënduan edhe hite pop në shqip, anglisht, italisht etj.

Si drejtues i qendrës së pakicave në Malin e Zi, Hajdinaga bëri të ditur se është punuar fort për bashkëpunimin ndërkulturor midis dy shteteve, ndërkohë që aktualisht janë eleminuar barrierat që ekzistonin midis nesh.