Ku të shkoj? Pyet Liljana Shabani, 68 vjece. Nuk jam siriane, as afgane, nuk vij nga lufta, jam qytetare e Durrësit!
Banorët: Ka mbetur të vetëvritemi para bashkisë, shprehen banorët e 16 familjeve.
12nëntor 2015 – Janë 16 familje që po përjetojnë ditët më të errëta të ekzistencës së tyre. Janë familjet në godina ish-pronarësh, ku banesat i kaluan ish pronarëve me aktin normative të qeverisë së vitit 2013.
Në prag të dimrit, 8 familjeve të banesës numër 29 u është dhënë ultimatumi i fundit të mbledhin plaçkat, para se t’i nxjerrë policia me forcë. 8 familjeve të tjera në godinën përballë, iu është dhënë afati 10 ditor të bëjnë gati orenditë e të lirojnë banesat ku kanë jetuar për dekada me radhë.
Liljana Shabani banore e banesës 29, ka zënë ulërimën e po mbledh plaçkat e shtëpisë ku jeton që prej ditës së parë kur lindi, pa e ditur ku do të shkojë, çfarë do të sjellë minuti i ardhshëm. Ajo banon në lagjjen numër 1 pranë xhamisë së vogël dhe ka në dorë ultimatimmin e fundit të zyrës përmbarimore, për të lënë shtëpitë të enjten në orën 12. Afati skadoi dhe Liljana qan, duke mos ditur ku të shkojë, të strehohet. “Erdhi ai i Përmbarimit dje, dhe na tha që sot duhet të lëmë shtëpitë se i merr ish pronari. Ish pronari t’i gëzojë, por ne ku të shkojmë? Unë jam vetme, dhe më ka mbetur të vras veten, ta djeg para bashkisë, ose plaçkave e shtëpisë t’u vë zjarrin në mes të sheshit! Kam ku të shkoj?” shprehet Shabani.
Banorët
Të gjithë banorët shprehen për Durrës Lajm, se pas ultimatumit, janë interesuar për të marrë shtëpi me qera, por nuk kanë mundur të gjejnë. “Nuk ka shtëpi, ku të shkojmë qeratë janë shumë të shtrenjta! Të na strehojë bashkia. Po për ne nuk ka shtet? Nuk ka qeveri, nuk jemi ne banorët e kësaj bashkie, nuk jemi ne banorët e këtij shteti? Shtëpitë që ishin të lira ishin nga 200 e 250 mijë në muaj. Ku t’i gjejmë aq para ne? Ne jemi pa punë, ne jemi me paga shumë të ulëta. Ku e kemi shtetin tonë? Ky shtet, pronarëve u jep pronat, por ne ku po na çon? Unë do të ngre çadrën këtu në mes lagjes, së bashku me fëmijët gruan e nënën”, thotë një tjetër banor.
Banorët i kanë kujtuar kryeministrit Edi Rama se në vitin 2013, premtoi abrogimin e aktit normativ të qeverisë Berisha, për nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë e ish pronarëve.
Rreth 1 mijë është numri i familjeve që po nxirren me dhunë prej rreth 3 vjetësh , me zbatimin e aktit normativ. Të gjithë banorët kanë të njëjtin problem, ata shprehen se në prag të dimrit, nuk mund të jepen ultimatume, sepse nuk kanë asnjë mundësi ku të strehohen.
/K.H. portali DurrësLajm/