Grupet e tifozëve ekstremistë të Zenit Shën Peterburg, kampionit në fuqi në kampionatin rus, publikuan ditën e hënë një manifest, në të cilin i kërkohet drejtuesve të klubit të tyre që të mos blejnë futbollistë me ngjyrë apo homoseksualë. 

"Nuk jemi racistë, por mungesa e futbollistëve me ngjyrë apo homoseksualë në gjirin e Zenitit është një traditë e rëndësishme, e cila përforcon identitetin e këtij klubi", thuhej në deklaratë.

Dokumenti, i cili ka bërë bujë për përmbajtjen e tij, nënvizon se skuadra nuk ka pasur kurrë lidhje dhe as tifozë në Afrikë, Amerikën e Jugut, Australi apo Oqeani.

"Nuk kemi asnjë kundër banorëve të këtyre kontinenteve, por duam që tek Zeniti të luajnë futbollistë që të jenë të afërt për nga mendësia dhe shpirti i tyre me tifozerinë ruse", janë shprehur ultrasit e Zenit. 

Aktualisht, tek Zeniti nuk militon asnjë futbollist i ngjyrës së zezë, por tifozët mund t’i referohen dy blerjeve të fundit, brazilianit Hulk dhe mesfushorit belg, Witsel, të cilët i kushtuan arkave të klubit plot 70 milionë euro.

Nga ana e tij, klubi rus e ka dënuar ashpër këtë deklaratë duke evidentuar seskuadra është dalluar gjithmonë për "tolerancën dhe respektin ndaj të gjitha vlerave njerëzore".