Në mediat holandeze është folur shumë rreth Wesley Sneijder dhe një rikthimi të mundshëm tek Ajax këtë herë si pjesë e stafit teknik të “Harkëtarëve”.
Por, këto zëra kanë nxitur menjëherë reagimin e ultrasve kryeqytetas të cilët nuk e kanë falur Sneijder që para tre vitesh, ndeshjen e lamtumirës nga futbolli e organizoi në Utrecht edhe pse nuk kishte luajtur kurrë më parë aty, duke lënë mënjanë Amsterdamin ku kaloi pesë vite të karrierës nga 2002 deri në 2007.
Me anë të një postimi në Instagram, ultrasit e Ajax theksojnë se Sneijder nuk është i mirëpritur dhe nëse ish-mesfushori merr guximin të punojë te skuadra holandeze, atëherë do të ketë luftë.
“Do të jemi të qartë që në fillim, Sneijder nuk është i mirëseardhur në klubin tonë. E kemi theksuar këtu e tre vite më parë se ai është një person “Non-Grata” për ne.
Dhe, ne nuk harrojmë apo vitet nuk na bëjnë të ndryshojmë, ashtu siç ndodh me martesat e tij të dështuara.
Sikur edhe një 1% të vërtetë të ketë tek zërat që e shohin të punojë me Ajax, duhet të jetë idiot që të pranojë. Do të ishte tamam një skizofren.
Një lojtar i madh i Ajaxit, Rinus Michel njëherë tha se futbolli është luftë.
Epo nëse Sneijder rikthehet te Ajaxi atëherë do të ketë luftë”, përfundojnë komunikatën e tyre ultrasit e kryeqytetasve.





