Nxënësit e shkollës “Olsi Lasko” në bashkëpunim me projektin EU4Schools, organizuan paraditen e kësaj të shtune një aktivitet multifunksional të quajtur “Unë e dua shkollën time”, në kuadër të zhvillimit të moduleve si: (Etika e të ushqyerit dhe shërbimit Bar-Restorant, Guida turistike, Etika e të veshurit dhe arredimit.)

Gjimnazistët sollën sot një rrugëtim emocionues, ku në fillim të aktivitetit u shpalosën fletëpalosje të organizuara nga nxënësit në dy modele: njëra për shkollën e cila është rindërtuar dhe tjetra për qytetin e Durrësit, si një qytet turistik i cili frekuentohet nga turistët nga mbarë bota jo vetëm gjatë verës.

U shfaqën gjithashtu pikturat e nxënësve lidhur me temën “Unë e dua shkollën time”, ku kishin përcjellë me anë të pikturave shkollën jo vetëm si institucion që zhvillon dijen, por edhe si vend aktivitetesh, kënaqësie e argëtimi.

Ndërkaq, në bashkëpunim me modulet: etika e të ushqyerit dhe etika e arredimit, nxënësit morën pjesë me ushqime tradicionale, gatime të ndryshme, teksa kishin krijuar edhe një tryezë ku demonstruan se si mund të shërbehet në bare e restorante.

Më pas nxënësit bashkë me stafin e mësuesve vazhduan programin në dhomën multifunksionale ku u shfaqën dokumentarë të ndryshëm që tregonin evoulimin e ushqimit dhe të veshjes, shqiptare dhe të huaj. Ky aktivitet u përmbyll me një lojë volejbolli në palestrën e shkollës si dhe me disa kujtime shumë të bukura në këto ditë festive.