SHBA– Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, me zë të dridhur, doli përpara Senatit në një seancë dëgjimore në lidhje me sulmin tragjik mbi konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë më 11 shtator.
Mes emocioneve, ajo tha se incidenti nuk ishte vetëm për politikën, por ishte edhe diçka personale.
“Dua të hedh krahët rreth atyre nënave e baballarëve, motrave e vëllezërve, djemve e vajzave dhe atyre grave që do të rrinin të vetme fëmijët,” tha ajo duke iu dridhur zëri.
Dëshmia e saj ishte pritur me interes prej shumë kohësh.
“Siç e kam thënë shumë herë që prej 11 shtatorit, unë marr përgjegjësitë,” tha ajo përpara Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat.
“Askush nuk është më i angazhuar për ta bërë këtë gjë siç duhet. Unë jam e vendosur për ta lënë Departamentin e Shtetit dhe vendin tonë më të sigurt e më të fortë,” tha ajo.
Ajo insistoi se DASH po lëviz me shpejtësi dhe në mënyrë agresive për të rritur sigurinë e misioneve amerikane kudo në botë pas sulmit vdekjeprurës të 11 shtatorit.
Dëshmia e saj alternohej mes emocioneve, por edhe qëndrimit të fortë e të vendosur.
Të paktën tre senatorë republikanë ishin të ashpër me Clinton. Ajo u pyet se çfarë përgjigje kishte ndaj kërkesës që kishte bërë ambasadori i vrarë disa muaj përpara sulmit, duke kërkuar që të shtohej siguria në Libi.
“Më duhet të rrëfehem, unë nuk i lexoj të gjithë kabllogramet që vijnë në Departamentin e Shtetit,” tha Clinton.
Kurse senatori Rand Paul, që shihet si kandidat presidencial i republikanëve, tha se nëse ai do kishte qenë president dhe do zbulonte se ajo nuk i ka lexuar kabllogramet nga Bengazi, do e kishte shkarkuar.
Po ashtu pati pyetje se përse nuk janë intervistuar menjëherë të evakuarit nga Libia.
Një çështje tjetër që kanë ngritur për diskutim republikanët ka qenë se përse fillimisht u quajt një akt i nxitur nga një protestë dhe më pas u fol për akt terrorist.