Ata mendonin se isha surrealiste, por nuk isha. Unë nuk pikturova kurrë ëndrra. Unë pikturova realitetin tim, tha dikur Frida Kahlo, e cila u lind 116 vite më parë.
Ajo ishte një artiste që eksploroi psikikën femërore me trimëri dhe imagjinatë të pamasë, e patrembur nga të metat torturuese fizike.
Frida Kahlo pikturonte kryesisht autoportrete dhe arti i saj ishte frymëzuar nga kultura popullore meksikane.
Pas vdekjes në vitin 1954, në moshën 47-vjeçare, vepra e Kahlo mbeti relativisht e panjohur deri në vitet 1970, kur historianët e artit dhe aktivistët politikë e rizbuluan atë.
Sot, Frida Kahlo konsiderohet si një nga forcat kryesore në artin e shekullit XX.
Kur viziton muzeun “Frida Kahlo”, një nderim i përhershëm në kujtim të artistes së madhe, në mënyrë të pashmangshme, ajo identifikohet si një piktore unike, që solli një koncept të ri të artit, i pari i këtij lloji në historinë e artit meksikan.
Në moshën 18-vjeçare, Kahlo ndoqi studimet për mjekësi në Shkollën Përgatitore Kombëtare, në Meksiko Siti.
Më 17 shtator 1925, gjithçka ndryshoi.
Pas një dite mësimi, Kahlo pësoi një aksident, pasi autobusi ku ajo ndodhej u përplas me një karrocë elektrike që udhëtonte me shpejtësi.
Ajo arriti të shërohej, pas një procesi që zgjati shumë muaj. Pikëpamjet e saj për jetën dhe artin u transformuan rrënjësisht.
E mbyllur në dhomën e saj, ajo filloi të pikturonte gjithnjë e më shumë, duke treguar historinë e saj përmes pikturës.
Plotësisht autodidakte, ajo e përvetësoi zanatin e saj pa asnjë lloj edukimi formal dhe pa u ndikuar nga ndonjë artist tjetër.
Kahlo dha mësim në Shkollën Esmeralda të Pikturës, Gdhendjes dhe Skulpturës.
Ajo trajnoi nxënës që sot figurojnë ndër krijuesit më të mirë dhe më të rëndësishëm, anëtarë të brezit të ri të artistëve meksikanë, të njohur si ‘los fidos’.
Kahlo u fokusua në individualitetin dhe punën e tyre krijuese, si dhe në respektimin dhe mbrojtjen e idealeve të tyre shoqërore dhe politike.