Marrëveshja e nënshkruar mes pesë institucioneve që operojnë në port eviton qëndrimet në radë dhe vonesat e panevojshme për anijet tregtare. Tashmë i gjithë dokumentacioni do të paraqitet online, 24 orë para mbërritjes së anijes në port. Marrëveshja e bashkëpunimit për lehtësimin dhe unifikimin e praktikave me vendet e BE-së i bën portet shqiptare më atraktive për transportin ndërkombëtar

Marrin fund proçedurat burokratike ndaj biznesit në portin e Durrësit. Pesë institucione firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për lehtësimin dhe unifikimin e praktikave me vendet e BE-së. Kjo marrëveshje do t’u mundësojë të gjitha anijeve të transportit të evitojnë qëndrimin për një kohë të gjatë në radën e portit në pritje të verifikimit të të gjithë dokumentacionit që subjekti tregtar paraqet pranë autoriteteve portuale.

Në bazë të marrëveshjes në fjalë, grupi i praktikës do të pushojë së funksionuari. Kjo proçedurë ndiqej që prej kohës së komunizmit dhe konsistonte në faktin që ishin inspektorët portualë ata që i jepnin leje për t’u ankoruar në kalatat e portit një anijeje ose edhe mund ta kthenin mbrapsht atë. Ligji për krijimin e lehtësive për Trafikun Ndërkombëtar Detar dhe për aderimin e vendit tonë në Konventën e IMO-s, e cila është krijuar në 9 prill të vitit 1965, prej disa vjetësh është mbajtur peng i burokracive, ndërsa tre muaj më parë me inisiativë të Drejtorisë Detare të Durrësit, grupet e interesit janë mbledhur për të diskutuar  me Autoritetet Portuale dhe agjensitë ligjzbatuese për arritjen e marrëveshjes. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është bërë nga Drejtori i Drejtorisë Detare, Gazmir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, ai i AKU-së Genc Juka, ai i Policisë Kufitare Arben Hajdarmataj si dhe nga kreu i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, në prani të drejtuesve të katër porteve të vendit, përfaqësuesve të biznesit dhe agjensive doganore, të cilët kanë përshëndetur arritjen e konsensusit midis strukturave.  

Marrëveshja

Pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje i hapet drita jeshile krijimit të Komitetit Kombëtar, i cili në zbatim të Konventës Ndërkombëtare “FAL” për unifikimin e dokumenteve të të gjitha anijeve që kalojnë në filtrin e porteve të Bashkimit Europian do të kontrollojë dokumentacionin që do paraqesin anijet tregtare, 24 orë para mbërritjes së tyre në port. Në një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili mban datën 21.11.2011, u kërkua krijimi i lehtësive për trafikun ndërkombëtar detar të të gjitha anijeve  tregtare që hyjnë në Shqipëri. Që prej javës që sapo lamë pas, të gjitha anijet që do të hyjnë në portin e Durrësit, do të paraqesin online, 24 orë para mbërritjes në port, dokumentacionin përkatës dhe nuk do të qëndrojnë më në pritje, por do të hyjnë direkt në port për përpunimin e tyre. Në rast se inspektorët e institucioneve që nënshkruan marrëveshjen nuk do të lejojnë ankorimin e anijes atëherë ajo do të kthehet menjëherë mbrapsht, pa humbur kohë në radë. Qëndrimi në radë do të ndodhë vetëm në ato raste kur rrisku i mallrave që transportohen duhet vlerësuar seriozisht. Krahas lehtësive që përfitojnë subjektet tregtare, pasi eleminojnë vonesat e panevojshme, autoritetet shqiptare tashmë ngarkohen me përgjegjësi më të madhe. Në bazë të normativave të IMO-s (Organizata Ndërkombëtare Detare), siç është Konventa ndërkombëtare FAL, institucionet janë të detyruara të mbajnë përgjegjësi për çdo vonesë që mund t’i shkaktohet subjektit ekonomik. Një anije që niset nga çdo port i Europës, nis online të gjitha dokumentacionin që i kërkohet nga institucionet shqiptare dhe para se të mbërrijë në portin e Durrësit, anija njoftohet nëse ngarkesa që ka mund të futet apo jo në port. Por edhe nëse një anije tregtare do të dalë nga porti, institucionet, në mënyrë të veçantë, do japin leje për daljen e saj. Ai institucion që do të vonojë largimin apo hyrjen e saj do mbajë përgjegjësi përpara ligjit ashtu sikundër ndodh në  Europë.

Praktika e mëparshme

Deri tani anijet e transportit të mallrave që hynin ne portin e Durrësit qëndronin disa orë në radë, deri në kryerjen e proçedurave nga ana e strukturave përgjegjëse dhe më pas ato lejoheshin të hynin në port. Por kishte raste kur një anije vonohej disa orë për shkak se grupi i praktikës i cili duhet të nisej në radë, ku qëndronte anija për të marrë dokumentet, mund të ishte në një anije tjetër në Porto Romano. Vetëm pasi të mbaronte këtë proçedurë ai kthehej në port, për të marrë në shqyrtim dokumentacionin e anijes që qëndronte në radë. Këto vonesa nënkuptonin më shumë kosto për pronarët e anijeve, që në termat e biznesit janë kosto ekonomike. Me zbatimin e ligjit të ri, asnjë anije nuk do të qëndrojë më në radë, por do të futet menjëherë në port për të kryer ngarkimin apo shkarkimin e malit për të cilin është kontraktuar nga subjektet private. Anijet që realizojnë transportin ndërkombëtar në pjesën më të madhe kanë kaluar në filtrin e porteve të BE-së. Proçedurat doganore janë të përqëndruara në shmangien e abuzimeve dhe këto sjellin më së shumti vonesa për anijet. Porti i Durrësit është kryesisht i orientuar nga importi, ku qarkullimi i brendshëm zë 91% të vlerës totale. Mallrat kryesore të importit janë: gruri, mielli, sheqeri, çimento, klinkeri, materialet e ndërtimit dhe kimikatet, ndërsa përsa i përket eksportit produktet që eksportohen drejt vendeve europiane janë: ferrokromi, mineralet e kromit, skrapi dhe ngarkesa të tjera të ndryshme.

Tahiri: Marrëveshja shmang vonesat

Gazmir Tahiri, drejtor i Drejtorisë Detare në portin e Durrësit u shpreh për gazetën “Dyrrah” se,- “ky ligj të ri mundëson shkrirjen e grupit të praktikës duke u lejuar anijeve të hyjnë direkt në port për të kryer përpunimin e tyre, ndërsa autoritetiet portuale do të operojnë të ndara nga njëra tjetra e për pasojë çdo institucion do të mbajë përgjegjësi për vonesat apo problemet që u shkaktohen operatorëve ekonomikë. Me VKM-në e qeverisë të 21 nëntorit të 2011 ky grup praktike shpërbëhet dhe të gjithë institucionet që funksionojnë në port siç është Kapiteneria, Policia Inspektoriati i shëndetësisë, Dogana dhe Autoriteti Portual veprojnë në mënyrë të pavarur. Kjo do të thotë që varësia nga njëri-tjetri shmanget, varësia për efekt të kohës ose personelit do të eleminohet”. Deri një javë më parë anijet e transportit duhet të prisnin në radë derisa grupi i praktik të mbaronte proçedurat që do të ndiqte dhe më pas të jepte lejen për ankorim. Sipas Tahirit konventa përcakton qartë se cilat janë dokumentet që i kërkohen online operatorit ekonomik. “Në këtë këndvështrim vendimi i qeverisë shoqërohet me detyrimin për të krijuar një Komitet Kombëtar për zbatimin e Konventës. Ky memorandum që nënshkruam është i njëjtë me vendet anëtare të BE-së dhe të gjitha dokumentet që anija paraqet në Itali, në Francë apo Mal të Zi, do të paraqiten edhe në portet shqiptare. Në bazë të marrëveshjes është krijuar një listë dokumentesh për Policinë, Doganën Kapitenerinë, Autoritetin Portual dhe Inspektoriatet. Evitimi i vonesave të shkaktuara në të kaluarën pritet t’i bëjë edhe më atraktiv portet shqiptare”,- tha Tahiri.


 

Gjymishka: Marrëveshja, lehtësi për biznesin

“Më mirë vonë se kurrë!”,- kështu deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka. Ai tha se,- “proçedura e praktikës së lirë që kryhet në porte, me arritjen e kësaj marrëveshjeje, është hap i rëndësishëm, sepse praktikat e mëparshme i përkisnin legjislacionit të para viteve 90.   Kjo marrëveshje është shumë pozitive. Çdo lehtësi për biznesin është ulje e kostos për çdo veprim. Studimi i BB tregon se koha që harxhon biznesi për proçedura është kosto e rëndë për shtetin dhe subjektet tregtare. Administrata doganore ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, megjithatë reformat duhet të jenë të pandalshme. Në doganë është ulur numri i dokumenteve të domosdoshme për t’u paraqitur. Kështu për importet tashmë paraqiten vetëm katër dokumenta nga tetë që ishin më parë, ndërsa për eksportet numri ka mbërritur në tre nga shtatë që kërkoheshin. Këto hapa do të shërbejnë në krijimin e lehtësirave për biznesin. Nga 19 ditë që zgjasnin praktikat për import apo eksport, sot koha për importin e mallrave llogaritet deri në 400 minuta për biznesin”.


 

Hajdarmataj: Marrëveshja shumë e domosdoshme

Drejtori i Policisë Kufitare dhe Migracionit, Arben Hajdarmataj tha se kjo marrëveshje është shumë e domosdoshme, pasi policia kufitare është drejt hapave për të përqafuar standartet e BE-së. Sipas tij praktikat e reja që implementohen kanë edhe vështirësitë e veta, por kjo i vjen në ndihmë biznesit dhe të gjithë operatorëve. Policia kufitare ka standartet e veta përsa i përket kontrolleve dhe praktikave të lira të mjeteve të lundrimit. Biznesi është partner dhe ne jemi në shërbim të tyre. Ndërkohë Genc Juka, kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, tha se primar për këtë strukturë, është vlerësimi i rriskut për të gjitha mallrat që do të mbërrijnë në portet tona. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Enver Roshi, kreu i Institutit të Shëndetit Publik, i cili nënvizoi faktin se,-“inspektorët  e ISHP-së do t’u ofrojnë shërbime lehtësuese të gjitha kompanive dhe bizneseve turistike e komerciale”.


 

Dokumentacioni që anijet paraqesin online:

Deklarata e përgjithshme

Deklaratë për ngarkesën

Deklarata e Magazinave të anijes

Deklarata e sendeve të ekuipazhit

Lista e ekuipazhit. Lista e pasagjerëve

Dokumenti i kërkuar sipas Konventës Universale Postare për postën

Deklarata detare për Shëndetin