30 nëntor 2013- Në lidhje me publikimin e një videoje në emisionin “Fiks Fare”, përmes së cilës ngrihen dyshime për korrupsion në gjykatën e Pukës, ka reaguar sot Unioni i Gjyqtarëve, të cilët kanë theksuar se përfshirja e emrit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, të nderuarit Xhezair Zaganjori, gjyqtar me integritet të lartë moral e profesional, në një skenë të improvizuar nga disa spekulantë të rëndomtë, përbën apel për një hetim të shpejtë e profesional.

“Duke marrë shkas nga raportimet më të fundit mediatike, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin të vlerësojë dhe inkurajojë përpjekjet e gazetarisë investigative për të informuar opinionin publik, sa i takon dyshimeve për korrupsion në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, prirja për ta shndërruar ndonjë rast të caktuar në një qasje përgjithësuese, që i atribuohet sistemit gjyqësor në tërësi dhe çdo gjyqtari në veçanti, e komprometon këtë mision, si dhe mohon punën serioze e profesionale të pjesës më të madhe të gjyqtarëve dhe aspiratën e shoqërisë për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin që të apelojë edhe njëherë se, më shumë se fjalët e retorika armiqësore ndaj gjyqësorit e gjyqtarëve pa dallim, identifikimi jopërgjithsues i përgjegjësive dhe promovimi i vlerave bazuar në merita përbëjnë rrugën e vetme të besueshme për një gjyqësor të pavarur e përgjegjshëm", thuhet në deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve.