Vendet e zonës së euros ende nuk janë të gatshme për hapin e madh të integrimit. 

 

Për ekonomistin Wim Kösters vendimtare është, që fillimisht ata të bien dakord për rregulla të detyrueshme.

 

 

DW: Profesor Kösters, mungesa e një unioni politik është paraqitur shpesh si një e metë themelore e euros qysh nga lindja e saj. Për muaj me radhë është punuar për një koncept i cili duhet të korigjojë këtë gabim. Idetë nuk kanë munguar duke nisur nga ajo për një ministër të përbashkët financash, për unionin monetar e deri tek një buxhet për eurozonën. Në samitin në mes të muajit dhjetor asnjë nga këto ide nuk pati sukses. A ka dështuar ideja për një union politik?

 

Kösters: Është shumë e vështirë të arrihet tani marrëveshje për një union politik, kur në të kaluarën janë shkelur rregulla të rëndësishme, të cilat përbënin një union politik rudimentar. Shembuj për këtë janë klauzola për të mos ndërhyrë me ndihma në vështirësitë buxhetore të një vendi, apo pakti për stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Kështu është treguar se nuk është e dëshiruar një kushtetutë për BE-në. Dhe për këtë arsye është e vështirë që aktualisht të arrihet një marrëveshje për një union politik në Evropë. Tani për tani shumica e njerëzve nuk janë për këtë. Pra mund të themi se ideja e unionit politik një herë për një herë ka dështuar. Dhe ideja për një ministër evropian financash – a mund të shihet kjo si zgjidhje për krizën? Nuk besoj. Fillimisht duhet rënë në ujdi se çfarë duhet të bëjë ky ministër financash. Nëse ai do të veprojë i orientuar nga rregullat apo nëse duhet të vendosë sipas rastit në veçanti, ashtu siç dëshiron p.sh. Franca. Përpara se të jetë arritur marrëveshje në këto pika nuk ka kuptim të ngrihet një institucion i tillë.

Përpara samitit të BE-së ministrat e financave të eurozonës patën rënë sidoqoftë dakord për një mbikqyrje evropiane për bankat. A është bërë kështu më e mbrojtur eurozona nga krizat?

Besoj se në parim po. Nëse do të kemi një union bankar evropian, i cili në radhë të parë përmban një mbikqyrje të përbashkët bankare, mund të shmangen gabime që rezultojnë nga qëndrime të buta të vendeve të veçanta në mbikqyrjen bankare. Kur të kemi mbikqyrjen bankare evropiane kudo do të vlejnë standarde të njëjta dhe kjo do ta ndihmonte Evropën. Veç kësaj është rënë dakord të themelohet një fond për ristrukturimin e bankave, kështu që me mbikqyrjen bankare ofrohet edhe aftësia vepruese për të mbyllur apo ristrukturuar banka. Por forma konkrete e mbikqyrjes bankare bart megjithatë shumë probleme.

Eshtë e padiskutueshme, që mbikqyrja bankare evropiane është e arsyeshme. Por në Gjermani konsiderohet problematik fakti që këtë mbikqyrje do ta kryejë Banka Qendrore Evropiane. Presidenti i institutit për studime ekonomike Ifo, Hans-Werner Sinn e komenton këtë plan me deklaratën: "Kjo është njëlloj sikur shitësit të një makine me defekte t'i jepet e drejta ta nxjerrë vetë kolaudimin e makinës së tij. "A ekziston vërtet rreziku që BQE-ja të kthehet në një shitës makinash të prishura?

Është shum ë problematike t'i jepet BQE-së përgjegjësia për mbikqyrjen bankare, krahas detyrës së saj për garantimin e vlerës së parasë. Atëherë asaj do t'i duhej t'u shërbente dy zotërinjve. Nëse bankat bien në gjendje të keqe BQE-ja duhet të mendohet: A mund t'i rris tani interesat, që do të ishte masa e duhur për të garantuar nivelin e çmimeve? Në këtë rast banka do të falimentonte. Për këtë arsye unë e ritheksoj atë që ka thënë Hans-Werner Sinn. Mendoj se duhet gjetur një zgjidhje që të ndahen në mënyrë strikte funksioni i mbikqyrjes bankare dhe ai i politikës monetare. Mes këtyre funksioneve duhen ngritur të ashtuquajtura mure mbrojtëse. Nëse kjo do të jetë e mundur është shumë e diskutueshme.

Si ekonomist Ju jeni i njohur për kërkimin me këmbëngulje të respektimit të rregullave. Në rastin e rregullave për sipërmarrjet ndodhi vërtet kështu. Por kur ishte fjala që qeveritë të detyroheshin të respektonin rregullat, çdo përpjekje rezultoi e dështuar. A është kjo e pamundur nga pikëpamja politike?

Në Gjermani respektimi i rregullave në pjesën më të madhe ka pasur sukses. Pavarësia e Bundesbank është një nga këto rregulla. Por kur është fjala për më shumë vende puna bëhet më e vështirë. Kur vendet kanë pikëpamje të ndryshme për ekonominë politike atëherë është e vështirë të bihet në ujdi për rregulla, të cilat edhe të respektohen. Ky është problemi që kemi në Evropë. Pa respektimin eficient të rregullave unioni monetar është i destinuar të dështojë. Atëherë edhe euro dikur nuk do të mund të ekzistojë më.

Në të kaluarën rregullat janë shkelur shpesh. Ky është një nga shkaqet për situatën ku ndodhemi sot. Ju thoni se do të kishim një shans për të rifituar besimin nëse të paktën rregullat për shpëtimin e euros do të respektoheshin. Por nuk ndodh kështu. Normat e interesit për kreditë emergjente ulen, afatet e shlyerjes zgjaten. Vijat e kuqe nuk e kanë jetën më të gjatë se pak javë apo ditë. Punët duken keq sa i përket respektimit të rregullave.

Po, vërtet. Më duhet t'Ju jap të drejtë se deri tani respektimi i rregullave nuk ka funksionuar si duhet. Por ndoshta nga krizat do të nxirret mësim. Unë shpresoj që vendet evropiane të shohin që kriza në masë të madhe u krijua pasi nuk u respektuan rregullat dhe të kuptojnë se rregullat duhen respektuar. Ndryshe unioni monetar do të shpërbëhet. Rreziku për këtë është shumë real.

A besoni se politikanët e kanë kuptuar këtë?

Për këtë kam dyshime. Dhe për këtë arsye nuk ka siguri që unioni monetar do të vazhdojë të ekzistojë. Ekziston pra rreziku që unioni monetar të dështojë përfundimisht.