TIRANE, 9 gusht 2014 – Zbardhen detyrimet që duhet të plotësojnë 18 universitetet private të cilave iu hoq licenca dhe iu ndërpre veprimtaria akademike për çdo cikël studimesh. Vendimi i qeverisë përcakton se universitetet e mbyllura duhet t'u japin pa asnjë detyrim financiar të gjithë studentëve që kanë të regjistruar, dokumentet që atyre iu duhen për të bërë regjistrimin në një universitet tjetër. Afati i fundit është përcaktuar data 1 shtator. Një tjetër detyrim që duhet të plotësojnë institucionet private të arsimit të lartë është dhe kthimi i detyrimeve financiare atyre studentëve që e kanë kryer pagesën e plotë për cikël studimi, ku t'u rimbursohet pjesa e papërfunduar e programeve përkatëse të studimit. Nga heqja e licencës së këtyre institucioneve janë prekur në total 5820 studentë. 

Vendimi 

Sipas vendimit të qeverisë të miratuar më datë 6 gusht, 18 institucionet e arsimit të lartë privat të cilave iu hoq licenca duhet të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014, në të gjitha ciklet e studimit ku ata ushtrojnë veprimtarinë dhe për të gjitha programet e studimit të ofruara; të përgatisin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve, dhe t'ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014; të marrin të gjitha masat për krijimin e mundësive, studentëve ende të padiplomuar, për transferimin e tyre në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi të njëjta apo të ngjashme, si dhe lehtësimin e procedurave për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm; dosjet e studentëve, të përgatitura nga institucionet private të arsimit të lartë, që nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës, përcillen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit brenda datës 10 shtator 2014. Këto institucione dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, brenda kësaj date, edhe të gjithë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponojnë dhe mbi bazën e të cilit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre akademike, që prej fillimit. 

Dokumentet & Transferimi 

Sipas vendimit të qeverisë, ministri i Arsimit dhe Sportit përcakton me udhëzim, listën dhe tipologjinë e dokumentacionit që duhet të përmbajë dosja e studentit, si dhe procedurat që do të ndiqen për organizimin e procesit të transferimit të studentëve. Tashmë grupi i punës është ngritur dhe po përcakton dokumentacionin që duhet, si dhe kriteret që do të ndiqen për transferimin e 5820 studentëve që kanë kryer një pjesë të studimeve në 18 universitetet private që u mbyllën. Tri do të jenë dokumentet kryesore që duhet të marrin studentët: vërtetimi i çregjistrimit nga universiteti përkatës, programi mësimor (ku të përfshihen lëndët që ka bërë mësim si dhe kreditet përkatëse), si dhe lista e notave. Këto janë dokumente që kërkohen në çdo rast kur kryhet transferimi i studimeve. Por nëse do të kërkohen dokumente të tjera, ato do të përcaktohen nga udhëzimi i MAS, që pritet të dalë javën që vjen. Ndërsa për kriteret që do të ndiqen për transferimin e studimeve, do të bëhet kontrolli i të dhënave të çdo studenti, mesatarja, kreditet, përputhshmëria e programit. Prioritet i MAS-it do të jetë transferimi i këtyre studentëve në universitetet publike, me përjashtim të rasteve të studentëve që dëshirojnë të ndjekin studimet në një tjetër universitet privat. Një tjetër kriter që MAS do ta ketë parasysh për transferimin e këtyre studentëve do të jetë edhe afërsia gjeografike që ata mund të kenë me universitetet publike ku mund të regjistrohen. Komisioni që do të merret me regjistrimin e këtyre studentëve, do të bëjë edhe verifikimet e atyre rasteve të studentëve që, edhe pse kanë qenë të regjistruar në një prej këtyre universiteteve, nuk janë paraqitur asnjëherë në shkollë apo kanë mangësi në dokumentacione. Burime pranë MAS bëjnë me dije se për këto raste nuk do kryhet regjistrimi në një program tjetër studimi. 



INSTITUCIONET PRIVATE TE ARSIMIT TË LARTË QË IU HOQ LICENCA 

1. SHLUP "Vitrina" 

2. SHLUJ "Universiteti Kristal" 

3. SHLUJ "Justiniani I" 

4. Akademia e Ndërtimit, Tiranë 

5. SHLP "Universiteti Elite" 

6. IPAL Shkolla e Lartë "Illyria" 

7. Akademia e Studimeve të Aplikuara, Durrës 

8. SHLP "Universiteti Planetar i Tiranës" 

9. Akademia Pedagogjike, Tiranë 

10. IALP Shkolla e Lartë "Nëna Mbretëreshë Geraldinë" 

11. IPAL "Kolegji profesional i sporteve, Fier" 

12. Kolegj profesional "Argent", Shkodër 

13. IALP "Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës" 

14. Shkolla e Lartë Private e Edukimit 

15. Kolegjet Profesionale, private "Medicom" 

16. IP "Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës" 

17. SHPAL "Gjon Buzuku", Shkodër 

18. SHLUJ "Medikadent" 



INSTITUCIONET PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË QË IU ËSHTË PEZULLUAR VEPRIMTARIA DHE NDAJ TË CILAVE JANË MARRË MASA KONKRETE 

1. Universiteti "Aldent" 

2. SHLP "Hëna e plotë" (Bedër) 

3. Kolegji Profesional privat "New Generation" 

4. SHLP "Logos" 

5. SHLUP "Instituti Kanadez i Teknologjisë" 

6. Kolegji Profesional "Ivoclar Vivadent & Partners" 

7. SHLAP "Pavarësia" Vlorë 

8. Akademia Profesionale e Biznesit 

9. IPAL "ISSAT" 

10. ShLUJ "Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi" 

11. SHLUJ "Justicia" 

12. SHLUP "Wisdom University" 

13. Universiteti privat "Albanian University" 



/Gazeta Shqiptare/