DURRËS, 6 tetor 2014– Të dhëna paraprake: kreditet e universiteteve private nuk përputhen me ato shtetërore. Lista e studentëve që do të fitojnë të drejtën për të transferuar studimet në universitetet publike, pritet të shpallet më datë 6 tetor. Publikimi i emrave fitues do të bëhet nga komisionet e vlerësimit të ngritura që prej datës 25 shtator në universitetet publike dhe private, të cilat nuk kanë dalë me një përgjigje zyrtare, për sa u takon studentëve, të cilët përmbushin kriteret për të vijuar studimet sidomos në universitetet publike. Konfuzioni i krijuar prej rreth dy muajve është ende i pranishëm në radhët e studentëve të prekur nga mbyllja e 18 universiteteve private në nivel kombëtar. Kjo për shkak se një pjesë e konsiderueshme e rreth 550 studentëve të “dëmtuar” nuk janë pajisur ende me numrin e matrikullimit apo me listën e notave, dy elementet bazë për kryerjen e regjistrimit në një tjetër universitet. Problem ky i krijuar nga universitetet e mbyllura, ndërsa Ministria e Arsimit është angazhuar t’i pajisë të rinjtë si me numër matrikullimi ashtu edhe me listën e notave të vitit të studimit përkatës, procedurë kjo që po mundësohet në kohë rekord, në përputhje me afatet e parashikuara në urdhrin e MAS, për publikimin e listës së të përzgjedhurve nga komisionet e ekuivalentimit. “Komisioni i vlerësimit, njohjes dhe ekuivalentimit, i ngritur në universitetet pritëse mblidhet brenda datës 25 shtator 2014. Ai kryen renditjen e studentëve aplikantë mbi bazën e një sistemi pikëzimi të vendosur me vendim të senatit akademik. Sistemi i pikëzimit konsiston të paktën në notën mesatare të studimeve të shkollës së mesme, studimeve universitare pararendëse dhe performancës (ritmit) shlyerjeve të detyrimeve akademike në IAL-te paraardhëse. Lista e kandidatëve, do t’u përcillet dekanateve përkatëse përpara datës 6 tetor, ndërsa procedurat për regjistrimet e studentëve fitues do të nisin më datë 7 tetor 2014 deri në orën 12.00 të datës 10 tetor 2014. “IAL-ja shpall listat e kandidatëve të regjistruar për program studimi brenda orës 16.00 të datës 10 tetor 2014 në vende të dukshme, si dhe ia përcjell ato Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në formë elektronike në adresën [email protected] brenda po të njëjtës datë, shoqëruar me argumentimin sesi janë përzgjedhur kandidatët, brenda datës 16 tetor 2014”, thuhet në udhëzim. Por, ndërsa ky proces po vijon normalisht dhe studentët janë qetësuar disi për faktin që plotësimin e këtij boshllëku do e bëjë vetë Ministria e Arsimit, shfaqet një tjetër problem shqetësues për ta. Bëhet fjalë për ekuivalentimin e krediteve të lëndëve që studentët kanë ndjekur në një prej fakulteteve të 18 universiteteve të mbyllura me vendim qeverie. Duke iu referuar deklaratave të deritanishme të krerëve të Universitetit të Tiranës, Politeknikut dhe atij të Mjekësisë, rezulton se në pjesën më të madhe të rasteve, studentët, edhe pse kanë përfunduar një vit apo më shumë vite studimi apo edhe një cikël të plotë bachelor apo master, nuk zotërojnë njohuritë e nevojshme për të marrë në konsideratë diplomimin apo një vit të caktuar akademik. Kjo, pasi kreditet e marra prej tyre nuk përputhen me kreditet e marra nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtën degë studimi. Problematikë mbeten sidomos studentët që kanë ndjekur degë të fakulteteve si: Mjekësia, Infermieria, Stomatologjia, Farmacia, niveli i të cilëve është i ulët në raport me ato të studentëve që ndjekin të njëjtat degë në Universitetin e Mjekësisë. Vetë përfaqësues të këtij institucioni kanë pohuar se studentët e mbërritur nga universitete të caktuara private nuk kanë kryer asnjëherë praktikë, madje nuk dinë as të komunikojnë me pacientët. Lëndët që zhvillohen aktualisht në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme nuk përputhen me ato të zhvilluara në universitetet e mbyllura, ose numri i tyre është i reduktuar në raport me publikët. Të paktën këto janë të dhënat paraprake të bëra publike nga përfaqësues të tri universitete të Tiranës, sipas të cilëve, në një pjesë të madhe të rasteve studentëve do t’u digjet jo vetëm një vit akademik, por 2 dhe më shumë, fakt që do t’i kthejë studentët sërish në vitin e parë të studimit, pavarësisht faktit që kanë paguar shuma të mëdha parash apo kanë investuar mund gjatë viteve të studimet.
/marrë nga gazeta “Shqip”/





