Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Fondacioni “Henrietta Leavitt”, në bashkëpunim me Fakultetin e Studimeve Profesionale, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, organizuan sot forumin publik me temë “Vajzat dhe gratë në shkenca, teknologji e inxhinieri si mbështetëse dhe nxitëse të progresit”.
Në këtë takim mori pjesë Prof. Kseanela Sotirofski, Dr. Valbona Nathanaili, Prof. Kozeta Bylykbashi, Prof. Rozeta Miho, etj., të cilët diskutuan për përvojat, arritjet dhe sfidat e gruas shqiptare në shkencë, duke nënvizuar modelet dhe rastet e suksesit.
Dr. Valbona Nathanaili, Drejtore e Fondacionit “Henrietta Leavitt”, u shpreh se ka gjithnjë e më shumë vajza që studiojnë në shkenca, por gjithnjë pak në rolin e shkencëtares, drejtueseve të institucioneve e departamenteve shkencorë.
Ajo vuri theksin në nevojën për përmirësimin e politikave në këtë drejtim, por edhe evidentoi probleme të tjera si druajtja e grave për të konkurruar e për t’u promovuar, mungesa e kohës për shkak të angazhimeve familjare, vetëbesim i tyre i ulët, etj..
Rektorja e UAMD, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, tha se “ne duhet të inkurajojmë zonjat për të vlerësuar si duhet veten, për të aplikuar për pozicione drejtuese, për grante kërkimore shkencore, projekte ndërkombëtare etj. Politikat e universitetit të Durrësit po ecin në këtë drejtim. Ne vazhdimisht do t’i vlerësojmë këto politika dhe përmirësojmë ato”.
Ajo kërkoi inkurajimin e kërkuesve shkencorë, por edhe studentëve, për t’u angazhuar në fusha prioritare si inovacioni dhe teknologjia. Rektorja Sotirofski bëri gjithashtu thirrje për përmirësimin e vazhdueshëm të politikave unviersitare, por edhe atyre qëndrore, deri në hartimin e një strategjie me indikacione të qarta për integrimin dhe promovimin e grave në shkencë.
“Aleksandër Moisiu” është model i mirë i grave në pozicione drejtuese pasi është universiteti i parë dhe i vetëm publik që ka zgjedhur për rektore një grua, ndërsa mbi 50% e stafit akademik, përfshirë dekanët, por edhe të stafit administrativ, drejtohet gjithashtu nga gra.
Udhëheqësia e tyre e ka bërë UAMD-në universitetin me rritjen me të madhe dhe një ndër më ndërkombëtarët në vend.





