Kur u bë e qartë se semestri i dytë i vitit akademik 2019-2020 do të devijonte nga përfundimi i tij normal dhe universitetet kaluan në mësimin në distancë, stafi i Qendrës së Karrierës në Universitetin “Aleksandër Moisiu” veproi shpejt për të transferuar shërbimet në një format online.
“Qendra Virtuale e Karrierës”, ndër të tjera përfshinte shërbime të këshillimit të karrierës për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit, ndihmë të personalizuar, uebinare dhe njoftime për praktika pune dhe kërkesa punësimi.
“Në mes të kësaj pandemie globale, ne donim të bënim ç’ishte e mundur për të ndihmuar studentët tanë të talentuar dhe të motivuar të arrinin qëllimet e tyre,” tha për “Durrëslajm” Xhafer Rakipllari, Drejtor i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në Universitetin e Durrësit.
“Kemi patur një qasje proaktive duke asistuar dhe udhëzuar studentët që t’i tejkalojnë më lehtë këto rrethana të pashembullta dhe të ndjehen të fuqizuar me njohuritë dhe aftësitë që fitojnë gjatë kohës së tyre në UAMD.”- vijoi më tej ai.
Qendra e Karrierës është një model i mirë ndër universitetet në Shqipëri. Ajo zhvillon veprimtari, të cilat kanë si qëllim njohjen e studentëve me tregun e punës duke i aftësuar ata për shkrimin e CV-së, të letrës së motivimit, përgatitjen për të zhvilluar intervista sa më të mira pune, si dhe ofrimin e një pakete të plotë këshillimi për karrierën.
Në datë 22 maj, kjo qendër prezantoi në një uebinar “Udhëzuesin e Karrierës”. “Universiteti i Durrësit, me mbështetjen e Risi Albania, është krenar t’ju vijë në ndihmë studentëve përmes kësaj guide, që është hartuar bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare dhe do të lehtësojë studentët dhe alumni në procesin e kërkimit dhe aplikimit për punë”, u shpreh z. Rakipllari.
Ai shprehet se “Udhëzuesi u vjen në ndihmë studentëve dhe ish-studentëve në procesin e kërkimit dhe aplikimit për punë. Përmes kësaj ne fuqizojmë të rinjtë dhe promovojmë ndryshime pozitive në komunitetin dhe vendin tonë”.
Rakipllari bën gjithashtu me dije që studentët do të përfitojnë nga shërbimet e Qendrës së Karrierës edhe gjatë muajve të verës dhe se në rrjetet sociale të universitetit do të ketë vazhdimisht njoftime për praktika pune dhe punësim.
Në fund edhe një sugjerim për studentët dhe të rinjtë. “Ata duhet të kuptojnë se ngjarje të tilla si COVID-19 janë jashtë kontrollit të tyre dhe tonit, por ajo që na diferencon është vullneti për të zgjedhur çfarë duhet bërë në këto situata. Ne do të jemi këtu për t’i udhëzuar dhe ndihmuar”.





